AKTUALITET, 6 October 2026, 12:57

Banorët e Pukës kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve: Do të bëjmë vetëgjyqësi! Nëse na ndalin ujit, s’ka më jetë

Banorët e Pukës kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve: Do

Banorët e fshatrave Mesul, Kimez dhe Kalivare në Pukë kundërshtojnë ndërtimin e katër HEC-eve në zonën e tyre dhe kërkojnë anulimin e lejeve të dhëna për këto projekte. Në shenjë proteste, ata u mblodhën para Gjykatës Administrative, ku komuniteti ka depozituar edhe një padi kundër koncesionit.

Sipas banorëve, për projektet nuk është zhvilluar konsultimi i nevojshëm me komunitetin, ndërsa paralajmërojnë kundërshtim të fortë nëse kompania nis punimet në terren.

“Nëse makinat do të hyjnë brenda dhe do të nisin punimet, do të bëjmë vetëgjyqësi”.

“Po na fusin me zor në rrugën e krimit”.

“Nëse na marrin ujin, nuk ka më jetë as për njerëzit, as për bimësinë, as për kafshët”.  

Avokati i banorëve, Arbër Raja, thotë se nga shqyrtimi i dokumenteve janë evidentuar disa problematika. Sipas tij, një prej çështjeve kryesore lidhet me lejen mjedisore, e cila pretendohet se është miratuar pa zhvilluar më parë një dëgjesë publike me banorët e zonës. Raja shprehet se kundërshtimi ndaj projekteve është formalizuar edhe përmes një peticioni, i cili është firmosur nga 330 banorë.

Lejet për ndërtimin e HEC-eve janë miratuar që në vitin 2023, ndërsa kanë hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2025, pas plotësimit të dokumentacionit të kërkuar nga kompania. Deri më tani, punimet në terren nuk kanë nisur. Krahas padisë në Gjykatën Administrative, banorët kanë bërë edhe kallëzim penal në Prokurori, duke ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.