BALLKAN, 19 Nëntor 2022, 20:45

Vazhdon mëria Rama-Osmani, dy udhëheqësit shqiptarë injorojnë njëri-tjetrin edhe në Tunizi (FOTOT)

Vazhdon mëria Rama-Osmani, dy udhëheqësit shqiptarë
Foto familjare në Samitin e Frankofonisë në Tunizi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vijojnë prej disa vitesh të mos takohen, as për kortezi, para të huajve, kur janë në takime ndërkombëtare.

Kështu ndodhi edhe në Tunizi, ku të dy ishin pjesëmarrës në Samitin e krerëve të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë. Osmani e Rama kanë shpërndarë fotografi nga pjesëmarrja në këtë samit dhe nga bisedat e tyre me krerë të ndryshëm, por jo me njëri-tjetrin.

Megjithatë, në disa nga fotografitë e postuara në Facebook, shihen afër njëri-tjetrit, pasi ashtu u rastisi me protokoll.

Rama, në llogarinë e tij në Facebook, publikoi një album fotografish ku shihet dorështrënguar me shumë udhëheqës të vendeve të ndryshme, por një të tillë s’e pati edhe me Osmanin.

“FOTOJA FAMILJARE e 88 krerëve të shteteve pjesëmarrëse në Samitin e XVIII të Frankofonisë”, shkroi Rama në Facebook.

Njësoj veproi edhe Osmani, e cila postoi fotografi nga ky samit duke thënë se “Samiti i krerëve të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë, na e dha mundësinë e shkëlqyer për të diskutuar e zgjeruar partneritetin me shtete të ndryshme anekënd botës”.

 

Ndarja e madhe nisi gati 3 vite më parë, pasi Rama mbrojti idenë e korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Osmani e sulmoi shumë ashpër. Përçarja u thellua më pas me refuzimin e Kosovës pë t'u bërë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, ku Rama është flamurtar bashkë me presidentin serb, Vuçiç, dhe kryeministrin maqedonas, Kovaçevksi.