BALLKAN, 14 Shtator 2023, 14:53

Tensionet në veri, Osmani: Ne gati për zgjedhje, problemin gjejeni tek serbët!

Tensionet në veri, Osmani: Ne gati për zgjedhje, problemin gjejeni tek

Kosova është e gatshme t’i mbajë zgjedhjet në katër komunat në veri, por problemi qëndron tek serbët që jetojnë atje sipas Vjosa Osmanit.

Në një intervistë për “Politico”, presidentja e Kosovës deklaroi se serbët lokalë po frikësohen nga njerëzit që paguan Aleksandër Vuçiç.

“Jemi të gatshëm t`i mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe nga Beogradi zyrtar. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim ndonjë lëvizje se kur Vuçiçi do të reshtë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, shprehet Osmani.

Osmani u shpreh se duhet angazhim që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, e të evitohen tensionet.

“Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, i bëjnë njerëzit të ndihen të pasigurt, largon investuesit potencialë nga vendi ynë, ndonëse Kosova është shtet shumë i sigurt. Dhe po ashtu tensionet u marrin aq shumë energji institucioneve, në vend se të merremi me reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë, e të krijojmë vende pune. Historia e Kosovës është histori e aksioneve të përbashkëta. Kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku me partnerë dhe aleatët tanë”, tha Vjosa Osmani.

Ajo shtoi më tej se BE-ja duhet të përshpejtojë hapat, duke nënvizuar se për Kosovën anëtarësimi në bllokun evropian është prioritet institucional e vullnet i popullit.