BALLKAN, 14 Shtator 2023, 09:09

Kurti do të takohet sot me Vuçiç, çfarë pritet të ndodhë në Bruksel për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Kurti do të takohet sot me Vuçiç, çfarë pritet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot pritet të zhvillojnë një takim në kaudër të dialogut që Kosova zhvillon me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE).

Fillimisht Kurti e Vuçiç parashihet të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pastaj pritet të mbahet takimi trepalësh.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga BE-ja të martën e kësaj jave është bërë e ditur se takimet bilaterale do të nisin në orën 9 të mëngjesit, e pas tyre do të zhvillohet takimi trepalësh.

Pas takimeve do të ketë deklaratë për media nga Borrelli

“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhej në njoftim.