BALLKAN, 21 Nëntor 2022, 17:40

Takimi Kurti-Vuçiç, Josep Borrell: Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për çështjen e targave

Takimi Kurti-Vuçiç, Josep Borrell: Kosova dhe Serbia nuk

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave ndërsa tërhoqi vërejtjen për përgjegjësinë që u takon të dyja palëve për zhvillimet në terren.

Për rreth tetë orë me radhë zoti Borrell takoi ndarazi dhe së bashku kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës dhe shmangien e tyre në prag të fillimit të fazës së dytë të zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Nga e marta sipas vendimit pritet të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Ai tha se në mungesë të marrëveshjes do t’u bëjë thirrje solemnet të dyja palëve.

“Së pari pres që Kosova të pezullojë menjëherë veprimet e mëtejshme për ri regjistrimin e makinave në veriun e Kosovës… Serbia të ndwrpresw lëshimin e targave të makinave me shenjat e qyteteve të Kosovës përfshirë ato me shenjën KM”, tha zoti Borrell, duke theksuar se do të informojë vendet e Bashkimit Evropian për veprimet e palëve dhe mungesën e respektit ndaj detyrimeve ligjore ndërkombëtare.

“Dhe më duhet të them se kjo vlen posaçërisht për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se ua ka bërë të qartë të dy udhëheqësve që nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi i tyre përfundimtar, atëherë duhet të sillen në pajtim me këtë synim.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij. /VOA