BALLKAN, 26 Mars 2023, 10:17

Kurti: E kemi përgjegjësi që brezat e ardhshëm mos të kalojnë nëpër vuajtjet që kaluam ne

Kurti: E kemi përgjegjësi që brezat e ardhshëm mos të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe sot në 24-vjetorin e masakrës, në Krushë të Madhe. Kurti ka kujtuar të gjithë të rënët për liri, duke i quajtur si figura të ndritshme të vendit.

Derisa ka përmendur edhe figurën e Ukshin Hotit, kryeministri ka potencuar se vendi i ka shumë borxh, pasi sipas tij, gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjeken politike që të jetohet me dinjitet me shtetin, i cili i shërben të gjithëve si Republikë.

Kurti është shprehur se është përgjegjësi e institucioneve dhe e qytetarëve që të bëhen bashkë që brezi aktual dhe brezat e ardhshëm të mos kalojnë nëpër “vuajtjet që kaluam ne”, por të kenë një të ardhme të ndritshme.

“Sot si institucione të Republikës, të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të shtetit me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që nuk kanë lindur ende të mos kalojnë nëpër këto vuajtje, humbje që kaluam ne, por të njëjtën kohë, të kenë edhe të ardhme të ndritshme në një Kosovë, rajon e Evropë, e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni”, ka thënë Kurti.

Të pranishëm me kryeministrin Albin Kurtin për të bërë homazhe në Krushë të Madhe kanë qenë edhe: ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe qytetarë të këtij fshati. Ndërkaq, nga ora 11:00 pritet që edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të bëjë homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Kujtojmë që, Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë. 24 vjet më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore janë djegur. Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme, të kryera mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që janë bërë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës./Kosovapress