BALLKAN, 24 Maj 2024, 17:21

Kreu i PDK letër Kurtit dhe dy partive të tjera opozitare, propozohen dy data për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

Kreu i PDK letër Kurtit dhe dy partive të tjera opozitare, propozohen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dërguar sot nga një letër krerëve të partive të tjera të mëdha në vend, mes tyre edhe kryeministrit Albin Kurti, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Letra u është dërguar po ashtu edhe kreut të LDK, Lumir Abdixhiku dhe kreut të AAK, Ramush Haradinaj.

Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ka propozuar datat për zgjedhje, 30 qershorin dhe 7 korrikun.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka shkruar Krasniqi. Ai u shpreh se Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi.