BALLKAN, 23 Nëntor 2021, 08:38

Dëshmia për tragjedinë në Bullgari: Njerëzit u hodhën nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve

Dëshmia për tragjedinë në Bullgari: Njerëzit u

Tragjedi në Bullgari. 45 persona humbën jetën si pasojë e djegies së një autobusi me turistë nga Maqedonia, një pjesë e tyre shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë. Në autobus udhëtonin 52 persona. Mes të vdekurve janë edhe 12 të mitur, dy binjakë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. 5 persona, 2 gra dhe 5 burra kanë shpëtuar dhe ndodhen në spital.

Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në Pirogov shprehet se njerëzit janë me trauma të rënda, kanë humbur të afërmit, fëmijët. “Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet” shtoi Argirova. Autobusi ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo mbrëmë pak pas orës 21:00. Rreth orës 3.00 ka ndodhur aksidenti në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgrad.

“Nuk kemi asgjë të mirë për të thënë, e nisim me një lajm të keq: një tragjedi që na tronditi. Ky aksident rrugor duhet të hetohet shpejt. Kur gjithçka të jetë bërë, do të jetë e mundur të komentoj për shkakun e mundshëm. Lërini hetuesit të bëjnë punën e tyre.

Kemi një tragjedi të madhe dhe përfitoj nga rasti për të shprehur ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”. Kështu tha kryeministri Stefan Yanev. Janev, ministri i brendshëm Bojko Rashkov dhe zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov ishin vendngjarje.

“Le të shpresojmë se do të nxjerrim mësime nga ky incident dhe nuk do të lejojmë më incidente të tilla. Për momentin është e qartë vetëm se autobusi është i regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Në orët e para të ditës e kemi njoftuar kryeministrin Zaev, i cili po udhëton këtu”, shtoi Yanev.

“Fotografia është e tmerrshme”, tha Ministri i Brendshëm Bojko Rashkov. “Tragjedia do të zbardhet me detaje në vijim të hetimeve. Nuk është për tu parë”, theksoi ministri. “Nga përvoja ime do të thoja se nuk kam parë një gjë të tillë më parë, kemi biseduar edhe unë me kolegun Sarafov, njerëzit janë djegur.

Është e vështirë të identifikosh person për person. Ka shumë mundësi që ndezja të ketë ndodhur edhe si pasojë e kontaktit me trafikndarësen. Gjithçka është e mundur, shpresoj që gjithçka të sqarohet shumë shpejt”, shtoi ministri.