TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në seancën e së mërkurës deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi nuk e votoi kandidaten e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Donika Gërvalla për shkak të deklaratave të mëhershme të Gërvallës kundër bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit.
E lidhur me mospjesëmarrjen në votim të Selimit është deklaruar sot Donika Gërvalla.
“Ne kemi pasur një diskutim në grupin parlamentar si çdo herë para çdo vendimi që marrim por nuk ka pasur debat rreth kandidimit tim. Zonja Selimi i merr vendimet e saj. Ajo nuk ka marr pjesë në votim. Në dallim nga disa të tjerë tek të cilët është pritur që nuk mund të votojnë, të bashkohen me Listën serbe dhe me PDK-në për të votuar kundër personit tim. Megjithatë ajo është vendim personal i zonjës Selimi dhe nuk kam asnjë arsye dhe asnjë të drejtë ta komentoj”, tha ajo.
Gërvalla tha se deputetet e LDK-së kanë pasur shumë arsye të votojnë të mërkurën për të zhbllokuar ngërçin.
“Sa i përket LDK-së, unë nuk jam anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. LDK jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shumë arsye tjera ka pasur mundësi ta zhbllokojë Kuvendin. Imagjinoni, aty në kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni….Këta katër u bënë bashkë me PDK-në edhe me Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës. Shqipe Selimi nuk ka votuar. Shqipe Selimi nuk është bërë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër meje…”, tha Gërvalla.
Tutje ajo shtoi se nuk ka person në skenën publike të Kosovës, që është angazhuar më shumë se 20 vjet, më hapur dhe me kosto të lartë politike për zbardhjen e krimeve të pasluftës.
Deputetja Gërvalla ka mohuar se ka qenë dëshmitare në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, gjersa paralajmëroi edhe hapa ligjorë.
“Pyetni avokatët e të akuzuarve në Hagë se ku figuron emri im, në cilën dëshmi figuron emri im… Është keq kur fushatën kundër një ministri e bazon në gënjeshtra… Sot e tutje do të marr hapa ligjor kundër secilit që pretendon publikisht se unë kam dërguar dëshmi në Hagë ose jam dëshmitare…Ndoshta nuk e kanë ditur në fillim të procesit, por sot gjithkush e dinë sepse trajtimi i dëshmive ka përfunduar”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se nuk do të komentojë për asnjërin në Hagë pasi sipas saj ata ndodhen në një situatë krejt tjetër dhe ajo ende është ministre e Punëve të Jashtme.