BALLKAN, 14 Shtator 2022, 17:33

Autoritetet ndalojnë EuroPride/ Ç’po ndodh në Serbi?

Autoritetet ndalojnë EuroPride/ Ç’po ndodh në Serbi?

Qeveria autoritare e Serbisë ka ndaluar të martën një shëtitje të planifikuar për të shënuar ‘EuroPride 2022’ në Beograd, duke përmendur një “rrezik dhune” pasi grupet e krahut të djathtë anti-LGBT njoftuan se edhe ata do të marshonin nëpër kryeqytetin serb.

Të dy ngjarjet u planifikuan për të shtunën e 17 shtatorit, por Ministria e Brendshme tha se të dyja janë ndaluar nga autoritetet.

Menjëherë pasi policia u dorëzoi zyrtarisht shkresën e anulimit të EUROPRIDE organizatorëve, ata thanë se “do të përdorin të gjitha mënyrat për ta shfuqizuar këtë vendim”.

Presidentja e EuroPride, Kristine Garine tha se “Ndalimi i Krenarisë është antikushtetues”.

“Është vendosur disa herë nga gjykata serbe. Ndalimi do të apelohet në gjykatë dhe do të anulohet.”-shkroi ajo në Twitter.

Ministria tha se ka “rrezik të lartë të sigurisë për pjesëmarrësit, por edhe për sigurinë e qytetarëve të tjerë”. Kjo ministri shtoi se pas një vlerësimi të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se mbajtja e një marshi të tillë do të “paraqiste rrezik për dhunë, shkatërrim të pronës dhe forma të tjera të prishjes së rendit publik në një shkallë të gjerë”.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shtoi se “në situatën aktuale gjeopolitike dhe tensionet në rajon, përplasjet e pakuptimta në rrugët e Beogradit do të bënin që pozicioni i shtetit tonë të ishte më i vështirë dhe do të vinin në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në marsh, por edhe të qytetarëve të tjerë”.

Ndalesa për mbajtjen e marshit vjen disa ditë pasi protestuesit kundër Paradës së Krenarisë marshuan në Beograd. Protesta u organizua nga grupet e të djathtës ekstreme, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Por, organizatorët e ngjarjes panevropiane për komunitetin LGBT, EuroPride, kanë nisur këtë ngjarje më 12 shtator në Serbi, me vendosjen e flamujve me ngjyra të ylberit.

Ceremonia hapëse e javës së EuroPride kaloi pa incidente, pavarësisht protestave të grupeve fetare dhe nacionaliste dhe paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili muajin e kaluar tha se kjo ngjarje nuk do të mbahej.

“EuroPride 2022 ka nisur. Kolegët e mi nga EuroPride janë këtu në këtë ngjarje historike”, shkroi në Tëitter, Kristina Garina, presidente e shoqatës së organizatorëve të EuroPride.

“Faleminderit BelgradePride për përkushtimin tuaj për organizimin e ngjarjes”, shtoi Garina.

Në lidhje me vendimin e autoriteteve të Serbisë për anulimin e Europride ka reaguar edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken i cili ka thënë se  “liritë e tubimit paqësor dhe shprehjes janë komponentë esenciale për një demokraci të shëndoshë”.

“Të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut”, shkroi Blinken në një postim në Twitter./ HistoriaIme