SPORT, 6 Tetor 2019, 18:15

Atalanta e Gjimshitit kërcënon kreun, ndalen Roma dhe Lacio

Atalanta e Gjimshitit kërcënon kreun, ndalen Roma dhe Lacio



Atalanta e Serisë A është krejtësisht ndryshe nga ajo që shfaqet në Ligën e Kampioneve, pasi skuadra e Gasperinit duket se është mësuar me kampionatin Italian dhe tashmë e sheh veten si pretendente për pozitat më të larta në klasifikim.

Sot, ekipi i Berat Gjimshitit, i cili u kthye mes titullarëve, ka mundur me shifrat 3-1 Leçen, duke barazuar Juventusin në vendin e dytë të renditjes të Serisë A, në pritje të ndeshjes së bardhezinjve me Interin që ka dy pikë më shumë. Zapata, Gomez e Gosens kanë shënuar tre golat për ekipin bergamask, ndërsa goli i miqve erdhi vetëm në fund me Luçionin.

Ndërkaq, ndalen dy prej ekipeve pretendente për zonën Champions, Roma dhe Lacio. Verdhekuqtë kanë barazuar në shtëpi me shifrat 1-1 me Kaljarin, ndërsa Lacio ka barazuar 2-2 me Bolonjën në fushën e kësaj të fundit. Skuadra e Strakoshës kishte mundësinë të mbyllte ndeshjen me fitore, por Korrea ka humbur një penallti në minutat e fundit të sfidës.

Rezultatet

Fiorentina-Udineze 1-0

Roma-Kaljari 1-1

Atalanta-Leçe 3-1

Bolonja-Lacio 2-2