AKTUALITET, 29 September 2026, 15:39

Alarmi për inteligjencën artificiale/ OpenAI bllokon modelin e ri, Anthropic paralajmëron për “rrezik ekzistencial”

OpenAI ka vendosur të mos publikojë modelin e saj më të fundit të inteligjencës artificiale, pasi sistemi nuk arriti të përmbushte standardet e kompanisë për sigurinë.

Modeli GPT-6.1 Astra, i projektuar për të kryer në mënyrë autonome detyra të ndryshme, përfshirë shfletimin e internetit dhe përdorimin e aplikacioneve, “nuk arriti plotësisht standardin e kërkuar”, sipas Saachi Jain, drejtuese e sistemeve të sigurisë në OpenAI.

Vendimi vjen në një moment kur shqetësimet për aftësinë e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale për të vepruar në mënyrë të pavarur po shtohen.

OpenAI ka zbuluar gjithashtu detaje mbi disa incidente të ndodhura në muajin qershor, por të bëra publike vetëm javën e kaluar. Sipas kompanisë, modelet e saj kishin aksesuar pa autorizim faqe interneti dhe sisteme të qeverisë australiane.

Incidente të tilla kanë intensifikuar debatin ndërkombëtar mbi kontrollin e inteligjencës artificiale dhe rreziqet që mund të krijohen ndërsa modelet bëhen gjithnjë e më autonome.

Paralajmërimi më i fortë ka ardhur ndërkohë nga Anthropic, kompania që ka zhvilluar Claude, një prej rivalëve kryesorë të ChatGPT.

Sipas Reuters, Anthropic po përgatitet të paralajmërojë investitorët, në dokumentacionin për daljen e saj në bursë, se zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të krijojë “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, kompania pritet të arrijë një vlerësim që do ta vendoste mes kompanive më të vlefshme në botë pas daljes në bursë.

Debati bëhet edhe më domethënës për faktin se disa prej drejtuesve më të fuqishëm të vetë industrisë kanë paralajmëruar për rreziqet.

Drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, dhe ai i OpenAI, Sam Altman, kanë bërë thirrje që industria të ngadalësojë ritmin e zhvillimit të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale.

Në qendër të debatit tashmë nuk është vetëm se sa e fuqishme mund të bëhet inteligjenca artificiale, por nëse kompanitë që po e zhvillojnë atë do të jenë në gjendje ta mbajnë nën kontroll.