AKTUALITET, 6 Korrik 2025, 15:56

Zjarri në pyjet e Beratit rrezikon edhe banesat

Zjarri në pyjet e Beratit rrezikon edhe banesat

Dy vatra zjarri janë regjistruar ditën e sotme në qarkun e Beratit duke shkaktuar dëme në një  sipërfaqe pyjore.

Bëhet me dije se një nga zjarret ka rënë në fshatin Mbrakull ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha dhe vazhdojnë të përhapen për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.

Mësohet se ndërhyrja e zjarrfikësve është e vështirë për shkak të terrenit malor, që nuk lejon futjen e mjeteve zjarrfikëse. Si pasojë, forcat zjarrfikëse po punojnë me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Gjithashtu vatra tjetër e zjarrit është shënuar në fshatin Virjon, ku dyshohet se shkaku ka qenë një defekt në linjën elektrike.

Flakët rrezikonin tre banesa dhe disa parcela me dru, por fale ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve me dy mjete dhe gjashtë efektivë është bërë e mundur shuarjen e flakëve.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, pasi rreziku për zjarre mbetet i lartë, veçanërisht në zonat me pyje dhe bimësi të dendur.