AKTUALITET, 6 Gusht 2024, 18:59

Të gatuash apo të pushosh? Paketat gjithëpërfshirëse dërguan 20% më shumë shqiptarë jashtë

Të gatuash apo të pushosh? Paketat gjithëpërfshirëse

Paketa gjithëpërfshirëse, destinacione të reja, shpesh herë edhe oferta konkurruese me destinacionet shqiptare, por mbi të gjitha pushime pa u munduar për të gatuar dhe shërbyer familjes, janë këto arsyet që po i drejtojnë shqiptarët të udhëtojnë më shumë jashtë vendit. Vetëm në gjysmën e parë të vitit udhëtimet janë shtuar me 20 përqind. Ndonëse një pjesë e madhe e shqiptarëve zgjedhin bregdetin shqiptarë, çmimet e larta por dhe turizmi i paorganizuar po i ndryshojnë preferencat e vjetra. Tundimi i ofertave të agjencive turistike për sezonin veror i kanë ndikuar t’i planifikojnë ato që në muajt e parë të vitit.

“10-15% më shumë po preferojnë këto paketa këtë vit. Tamam pushime shkojnë të pushojnë dhe jo pushime të shkojnë nëpër shtëpia e gatuajnë duke marrë paketat all-inclusive i kanë të gjitha të përfshira. Familjet të cilat duan të pushojnë po interesohen më shumë por dhe çiftet më pak individualët”, tha Ervis Kukeli, operator turistik.

Fluksi i shqiptarëve që pushojnë jashtë vendit i ka rritur paketat të cilat përfshijnë akomodimin, ushqimin, argëtimin por dhe turet ditore, deri në 15%. Por sa do të kushtonte një e tillë për një familje mesatare. “Për një familje me dy fëmijë fillon nga 1300-1500 euro një paketë javore të gjitha të përfshira. Destinacionet ekzotike ngelet te 1500-2000 euro çifti. Them se paketat janë rritur nga 10-15% krahasuar me vjet.”, shtoi ai.

Por cilat ishin destinacionet e preferuara të shqiptarëve që i kryen pushimet, por dhe për ata të cilët presin t’i shpenzojnë në vijim. “Antalia ngelet i preferuar, Bodrumi, Greqia. Oferta të mira në Kretë, Rodos me fluturime direkte, Korfuzin. Këto janë kryesoret, pastaj kemi për Spanjë, Itali destinacione ekzotike si Maldive, Dubai, Tajlandë.”, tha operatori. Përfundimi i verës nuk përkthehet me mbylljen pushimeve për shqiptarët, pasi interesi për të udhëtuar jashtë vendit shkon edhe përtej shtatorit.