AKTUALITET, 6 Gusht 2024, 16:56

Riaktivizohet zjarri në masivin pyjor të Tërnovës, digjen rreth 10 ha pyje

Riaktivizohet zjarri në masivin pyjor të Tërnovës, digjen

Riaktivizohet zjarri në masivin pyjor të Tërnovës. Ndonëse ai ishte vënë nën kontroll të hënën, vatra është riaktivizuar në orët e mesditës, të ndihmuara edhe nga era që fryn. Rreth 10 ha pishë e ah janë djegur.

Flakët janë drejtuar drejt kurorës së gjelbër të liqenit të Zi, e vetmja kurorë e paprekur në këtë zonë. Në terren kanë shkuar sërish për shuarjen e zjarrit rreth 60 forca e mjete të Shërbimit Pyjor, të Shërbimit Zjarrfikës dhe të aparatit bashkiak Bulqizë.

Atyre u janë bashkuar rreth 100 forca të ushtrisë nga Burreli dhe Tirana, që po luftojnë me flakët prej tre ditësh. Si rezultat është bërë e mundur shuarja e 2 vatrave të zjarrit për të mbrojtur kurorën e Liqenit të Zi nga toka. Puna vijon me goditje të përqendruar për shuarjen edhe të 2 vatrave të tjera që janë ende aktive. Deri tani zjarri ka djegur më shumë se 10 hektarë me pishë shekullore dhe ah.