TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë në pjesën e dytë të interpelancës për Korporatën e Investimeve, duke e cilësuar këtë strukturë si një model të dështuar dhe jashtë çdo standardi europian.
Në përgjigje të ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Tabaku deklaroi se shpjegimet e dhëna nuk kanë sqaruar qytetarët dhe se përdorimi i ekspertëve ndërkombëtarë po shërben vetëm si fasadë për vendime të paracaktuara.
Ajo solli në vëmendje rastin e Porto Romanos, duke theksuar se rekomandimet e ekspertëve janë anashkaluar në praktikë, ndërsa vendimet janë marrë në funksion të interesave të ngushta.
Sipas Tabakut, modeli i ndjekur nga qeveria është i përqendruar tek ndërtimi i kullave dhe tjetërsimi i pronave publike, pa procedura dhe pa transparencë. Ajo ngriti shqetësimin për prishjen e objekteve publike dhe transferimin e aseteve strategjike pa studime fizibiliteti dhe pa vlerësim të qartë ekonomik.
Deputetja iu referua edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar mungesën e dokumentacionit dhe procedurave, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve shkon për pagesa ekspertësh. Sipas saj, Korporata është kthyer në një strukturë që prodhon kosto dhe jo zhvillim.
Në planin më të gjerë, Tabaku e cilësoi këtë model si jo-perëndimor dhe në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka në procesin e integrimit europian. Ajo theksoi se mekanizma të tillë, përfshirë edhe ligjin për investimet strategjike, duhet të çmontohen pasi nuk përputhen me standardet e Bashkimit Europian.
Në përfundim, Tabaku deklaroi se interpelanca nuk ka sjellë më shumë transparencë për qytetarët dhe se mbetet e paqartë mënyra se si po administrohen dhe tjetërsohen pasuritë publike.
Duke iu përgjigjur ministres Delina Ibrahimaj, Tabaku deklaroi se shpjegimet e dhëna nuk kanë sjellë transparencë për qytetarët dhe se modeli i ndjekur nga qeveria është larg standardeve europiane.
Ajo theksoi se ndërsa për çdo shpenzim publik kërkohen procedura dhe garë, për pasuritë strategjike të vendit këto rregulla nuk zbatohen, pasi pronat transferohen te Korporata dhe më pas jepen pa transparencë dhe pa tenderë publikë.
Sipas Tabakut, Korporata funksionon si një “republikë brenda republikës”, ku institucionet e pavarura dhe kontrolli parlamentar nuk kanë akses real në vendimmarrje. Ajo iu referua edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar se mungesa e dokumentacionit dhe “devijimet materiale” tregojnë për një proces jo transparent dhe pa bazë të qartë financiare.
Në planin ekonomik, deputetja e PD e cilësoi këtë model si një “skemë piramidale”, duke argumentuar se Korporata prodhon humbje dhe mbështetet në hua nga institucione publike, ndërkohë që pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për paga dhe jo për investime reale.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e investitorëve seriozë ndërkombëtarë, duke theksuar se mungesa e sigurisë ligjore dhe transparencës pengon çdo investim të qëndrueshëm.
Ajo solli në vëmendje edhe projektin “Durana”, duke e cilësuar si një iniciativë që ekziston vetëm në dokumente dhe që përdoret për të krijuar favore fiskale për kompani të lidhura me pushtetin.
Në përfundim, Tabaku theksoi se modeli i ndjekur nga qeveria bie ndesh me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, duke përmendur shqetësimet e FMN-së, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Këshillit të Europës për mungesën e transparencës dhe konkurrencës.
Sipas saj, çështja e Korporatës së Investimeve nuk është vetëm ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës dhe përgjegjësinë publike, duke paralajmëruar se kjo çështje do të kërkojë llogaridhënie në të ardhmen.