AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 22:35

Shtatë pushues mbeten në det me pedalonin që fuste ujë, Policia Kufitare i shpëton

Shtatë pushues mbeten në det me pedalonin që fuste ujë,
Foto ilustrim

Shtatë pushues janë shpëtuar në Ranën e Hedhun pasi në pedalonin ku kishin hipur, nisi të futej ujë dhe nuk po ktheheshin dot në breg. 

Ata kanë kërkuar ndihmë dhe janë shpëtuar nga Policia Kufitare.

"Rreth orës 19:40, është telefonuar Salla Operative e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, për të kërkuar ndihmë, pasi në det të hapur, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, kishin mbetur disa shtetas që ishin futur në det me një pedalon, me të cilin nuk po ktheheshin dot në breg.

Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët kanë konstatuar se rreth 2 milje larg bregut, në det të hapur, ishte një mjet lundrues pedalon, me 7 shtetas në të, që ishte bllokuar në det dhe nuk lëvizte pasi kishte filluar të fuste edhe ujë në brendësi.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 7 pushuesit, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, është bërë e mundur edhe nxjerrja e pedalonit të tyre, në breg.

Policia Kufitare Shëngjin këshillon të gjithë pushuesit që t’i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave të përdorimit të tyre, për të mos rrezikuar jetën", thuhet në njoftimin e autoriteteve.