AKTUALITET, 12 Korrik 2024, 11:42

Regjistrimi i popullsisë, publikohen rezultatet: Kosova ka 1.586.659 banorë!

Regjistrimi i popullsisë, publikohen rezultatet: Kosova ka 1.586.659

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit.

Ai tha se nuk pritet të ketë dallime të mëdha nga të dhënat paraprake, duke theksuar se sipas praktikave edhe në vendet e rajonit, ndryshimi mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind.

Regjistrimi i popullsisë u krye në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Kastrati tha se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas tij, në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK, tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.

Të dhënat paraprake të regjistrimit tregojnë se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.

Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie. Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind. Në këtë komunë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.