TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shqipëria ka bërë progres të moderuar drejt arritjes së objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030 gjatë periudhës së vlerësimit në vitin 2023, të bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Organizata e njohur ndërkombëtare analizoi në hollësi zhvillimet në Shqipëri në publikimin e fundit, ku vuri në dukje se vendi ynë ka bërë njëfarë progresi në 30.9% të treguesve, ndërsa performanca është përkeqësuar në 27.9% të treguesve nga grupi i 17 objektivave globale kryesore që duhen realizuar deri në vitin 2030.
Teksa në disa objektiva, Shqipërua ka bërë progres të dobët ose ka qëndruar në vendnumëro, sektori i arsimit ka përkeqësim të fortë. Një shoqëri e arsimuar është baza për zhvillimin e qëndrueshëm në të ardhmen, ndaj rënia e nivelit arsimor në vend është një ogur i keq për të gjithë fushat e zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen.
OECD analizon se qeveria ka integruar Objektivat Globalë të Zhvillimit të Qëndrueshëm në axhendat kombëtare dhe sektoriale, por progresi mbetet i dobët për shkak se nuk janë mbështetur me buxhet. Analiza tregon se, Shqipëria ka ruajtur arritjet në dy fusha, varfëria (Objektivi 1) dhe veprimi klimatik (objektivi 13), dhe është në rrugën drejt arritjes në furnizimin me ujë të pastër (objektivi 6) dhe reduktimin e pabarazive (Objektivi 10).
Progresi ka qenë më i moderuar në fushën e energjisë së përballueshme dhe të pastër (objektivi 7). Ndërkohë, OECD vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit (objektivi 4), me rënie të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor.
Në testimin PISA 2022 që organizohet nga OECD për testimin e njohurive të 15-vjeçarëve, Shqipëria u rendit në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61, Rezultatet e Shqipërisë shënuan rënie të fortë në raport me rezultatet e testeve paraardhëse.
Vlerësimet e PISA evidentuan se Shqipëria kishte pësuar rënien më të madhe të rezultateve që një vend ka pasur në të gjithë historinë e zhvillimit të testeve që nga 2001. Shqipëria ka ruajtur ecurinë e saj në eliminimin e varfërisë ekstreme që nga viti 2021 (objektivi 1). Qasja në ujin bazë të pijshëm dhe shërbimet higjienike janë rritur në të gjithë popullsinë (të dyja mbi 95%).
Rezultatet shëndetësore (objektivi 3) mbeten pozitive dhe mesatarisht në përmirësim, me nivelet e synuara për 2030. Por vendi ynë duket se ka bërë hapa pas me rënien e shkallës së vaksinimit tek foshnjat dhe mbulimin e shërbimit universal shëndetësor. Progresi ka mbetur në vendnumëro në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komuniteteve (objektivi 11). Përmirësimi i shërbimeve të aksesit në ujësjellës, transport dhe shërbime të tjera mbeten sfida të rëndësishme.
Progresi është gjithashtu i nevojshëm në fushën e ekonomisë rrethore (objektivi 12) dhe mbrojtjen e ekosistemeve tokësore (objektivi 15). Mangësitë më të rëndësishme mbeten në fushat e punës së denjë dhe rritjes ekonomike (objektivi 8), jetës detare (objektivi 14), drejtësia dhe institucionet e forta (objektivi 16).
Progresi ekonomik dhe përfshirja mbeten të kufizuara nga mungesa e aksesit në burimet financiare në të gjithë popullsinë, papunësia e lartë e të rinjve dhe mungesa e të drejtave themelore të të punësuarve. Drejtësia dhe institucione të forta (objektivi 16) kanë mbetur në vendnumëro nga vrasjet e vazhdueshme, korrupsioni i lartë, praktikat e paligjshme të shpronësimit dhe rënies së lirisë së shtypit./ Monitor