AKTUALITET, 27 Prill 2023, 21:51

“Rama do të përfundojë në ishullin Rikers, ku ka vetëm të burgosur dhe varre”/ Berisha “parashikon” vendimin për aferën McGonigal

“Rama do të përfundojë në ishullin Rikers, ku ka

Sali Berisha, komentoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” aferën e ish-agjentit të FBI-së, Charles Mcgonigal dhe implikimin e dyshuar të kryeministrit Rama, përmes këshilltarit të jashtëm Dorian Duçka dhe shqiptaro-amerikanit Agron Neza. Duke polemizuar me analistin Lorenc Vangjeli për vizitën e të Dërguarit të Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pak javë më parë, dhe takimin me kryeministrin, Berisha tha se Rama do të ndëshkohet nga drejtësia amerikane, pasi, sipas tij, çështja “McGonigal” është hetim i hapur penal në SHBA dhe ai do të përfundojë në ishullin Rikers në afërsi të lagjes Bronx të Nju Jorkut që ka shërbyer më parë si burg.

“Edi Rama është i tmerruar nga unë dhe ai pati një takim. Atë mesazh që duhet ta jepte privatisht, shkëlqesia e tij e tha publikisht dhe jo pa qëllim. Çështja “McGonigal” është hetim i hapur penal dhe direkt pyetje e lidhur me kryeministrin.

Të vijë tjetri në zyrë dhe të rrijë vetëm 20 minuta, nuk ka ndodhur kurrë. Të mos jesh i zoti të nxjerrësh një fjali nga ai takim do të thotë se ke parë tmerr dhe ai nuk e la në zyrë, por e tha në media. Çështje penale e hapur, do të thotë derë burgu e hapur. Gazetarja e pyeti se si është çështja e kryeministrit tonë me rastin “McGonigal”, ai tha se ajo është një çështje penale e hapur.

Rama i ka shanset 98 për qind që të përfundojë në ishullin Rikers. Për një fotografi, për 70 mijë euro, kur ka qenë në detyrë Barack Obama janë dënuar dy qytetarë, një shqiptaro-amerikan dhe një amerikan, 4 dhe 6 vite burg. Kurse ky ka dhënë para ryshfet nëpërmjet Dorian Duçkës dhe dënohet minimumi 6 deri në 12 vite burg dhe përfundon në ishullin Rikers. Aty ka vetëm një burg të madh të vjetër dhe varre të burgosurish”-tha Berisha.