AKTUALITET, 3 Prill 2023, 21:44

“Pse nuk i kërkoni bankës të pastrojë emrin tuaj?”/ Mërtiri pyet Kryemadhin për llogaritë e “parave ruse”

“Pse nuk i kërkoni bankës të pastrojë emrin

Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri, duke komentuar akuzat e hedhura nga një portal me bazë në Bruskel ndaj deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e pyeti se përse ajo nuk kishte kërkuar një dokument nga banka e përmendur se nuk kishte marrë të ashtuquajturat para ruse.

Kryemadhi tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se kjo detyrë i takon medias që ka bërë akuzat.  

Biseda në studio

Mërtiri: Nuk ju shoh shumë aktive për të zbardhur të vërtetën. Ju i keni shkruar “Euroreporter” kur ka shkruar artikullin dhe ka nxjerrë dokumentin. Ju pse nuk i shkruani bankës nga e cila pretendohet se është ky dokument, për të vërtetuar nëse ky dokument është i saktë apo jo. Ju mund të merrni një vërtetim se ju nuk jeni klientë e kësaj banke dhe me këtë është shumë e thjeshtë që t’ia servirini publikut që nuk është.

Kryemadhi: Kjo që thoni ju është shumë e vërtetë, por nuk e kam unë të drejtën e barrës së provës. Ti që më akuzon mua për këtë, shko e bëje. Unë kam një avantazh shumë të madhe kur lëviz nga Shqipëria nuk lëviz nga malet, as me varkë, as me jet ski, por vetmë me avion, aose me makinë.

Kur shkoj në Kosovë, apo Qafë-Botë, shkoj si zonjë deri te kufiri dhe të pret taksia atje dhe ti vazhdon punën tënde siç e ke. Unë në Zvicër kam qenë vetëm një herë në 2000-shin.

Mërtiri: Dokumenti thotë se keni bërë udhëtime në datat kur janë bërë këto pagesat.

Kryemadhi: E di kur është ai udhëtimi? Ditën kur unë kam shkruar me gocën e dajës tim, Bebe Rexha, në Parga dhe Sivoda dhe e kanë bërë publike të gjitha mediat. Le të nxjerrin edhe TIMS-in e Bebe Rexhës, dhe Bora e Era Metaj që kanë kaluar në këmbë.

Ka qenë ajo kohë kur Monika Kryemadhi, edhe pse s’kishte pranuar të ishte First Lady, ishte gruaja e Ilir Metës dhe ne s’na ka lënë kush të hardallosemi nëpër banka dhe offshore dhe këtë e di shumë mirë, Edi Rama, Sali Berisha, edhe McGonigal që ka hetuar dhe ambasadat amerikane, angleze, franceze, italiane dhe gjermane.