TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i PD, njëkohësisht drejtues politik i qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu, denoncoi se kopertina e librit “Gjuha shqipe 3” paraqet pamje të cilat "influencojë keq në rrugën e jetës" fëmijët. Bëhet fjalë për praninë e ylberit në kopertinë dhe një zane me fustan shumëngjyrësh, të cilat sipas Shehut mund të lidhen me komunitetin LGBT dhe i ka vendosur "regjimi i Edi Ramës".
“Një koperinë ndesh dhe me principet edukative të fëmijëve, që kërkon të influencojë keq në rrugën e jetës duke e deformuar atë e krijuar konfuzion. Një fëmije duket aty e mbi atë një “burrë” me mjekër i veshur me fustan ngjyrash “ylberi”, duke kërcyer zbathur si grua!!! Këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një strategji të rrëgjimit, të rrezikshme Gender për orientimin seksual që në moshën e re fe minorë. Me pasoja thellësisht negative në të gjithë rritjen e fëmijës, komportamentin seksual te tij edhe mbas pubertetit”, shkruante Shehu.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar shtëpia botuese e librit, duke sqaruar se ky është viti i tetë që ky libër ka këtë kopertinë dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga prindërt. Në reagim thuhet gjithashtu se ylberi, është edhe simbol fëmijnor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie natyrore, ndaj nuk ka vend për interpretime tendencioze, por edhe diskriminuese.
“Duke u nisur nga zhurma në rrjetet sociale dhe në disa portale e medie, e ndiejmë për detyrë të sqarojmë çdo keqinterpretim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3″. Është kthyer tashmë në traditë që çdo vërejtje apo sugjerim nga mësuesit e prindërit, Ministria e Arsimit ua dërgon shtëpive botuese, dhe çdo vit tekstet ribotohen të përmirësuara. Është viti i tetë që teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij.
Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë).
Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra.
Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.
P.S Argumentet tona janë lehtësisht të verifikueshme me gjithë përmbajtjen e librit.
Për çdo pyetje ose sqarim të mëtejshëm, jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të ofrojmë më shumë informacion", thuhet në reagimin e shtëpisë botuese, Albas.