AKTUALITET, 17 Shtator 2023, 13:40

Pas kryeministrit Rama, edhe presidenti Begaj drejt SHBA-së për asamblenë e OKB-së

Pas kryeministrit Rama, edhe presidenti Begaj drejt SHBA-së për

Java e ardhshme është e rëndësishme për Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Begaj, Kryeministri Rama dhe ministri i ri i Jashtëm Hasani do të jenë në Neë York për takime dhe aktivitete të nivelit të lartë.

Kreu i shtetit, Begaj u nis këtë të diel drejt SHBA, ku do të kryesojë delegacionin shtetëror shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që nis punimet më 20 shtator, ndërsa do të mbajë edhe fjalën e tij.Gjithashtu, Presidenti Begaj, do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm si dhe pritet të zhvillojë takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA.

Në OKB, Shqipëria do të drejtojë dy takime të rëndësishme, takimin për bashkëpunimin për shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, në situata lufte, apo në situata katastrofash natyrore.

Në diskutimin e dytë të rëndësishëm, pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky, për shkak se aktiviteti do t’i dedikohet luftës në Ukrainë, ku pjesëmarrësit do të përfshihen në një debat të hapur.

Shqipëria e mori për herë të parë Presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022. Vendi ynë u zgjodh anëtarë e përkohshme e institucionit më të rëndësishëm të sigurisë në glob me votë thuajse unanime nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat i cili filloi në janarin e vitit 2022 dhe përfundon në fund të 2023.