AKTUALITET, 2 Prill 2026, 21:31

Paralajmërimi i SHBA/ Laçi: Nuk rrezikohemi direkt nga qarqet iraniane. Gjinishi: Irani nuk ka kohë që të merret me satelitë si Shqipëria

Paralajmërimi i SHBA/ Laçi: Nuk rrezikohemi direkt nga qarqet

Analistët Marlind Laçi dhe Ermir Gjinishi komentuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV paralajmërimin amerikan për sulme të mundshme iraniane në Shqipëri dhe reagimin e qeverisë shqiptare se nuk ka vend për panik.

Pjesë nga biseda

Marlind Laçi: Më tepër më duket një deklaratë rutinë të autoriteteve amerikane për çdo ngjarje që mund të sjellë problematika për qytetarët amerikanë. Sigurisht një këmbanë alarmi mund të ekzistojë për shkak të diplomacisë së dobët të kryeministrit Berisha me pranimin e një pjese të muxhahedinëve dhe më pas të kryeministrit Rama kur u mor edhe 90 për qind e muxhahedinëve të tjerë, nuk do të ishte nevoja që të kishte mbingarkesë të një organizate që konsiderohet terroriste dhe kolaboracioniste gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut në vitet ’80.

Shqipëria është një shtet i vogël për t’u bërë pjesë e një konglomerati problemesh të mëdha që nuk I përballon dot dhe nuk ka kapacitete mbrojtëse.

Është hera e parë që logjikoj sipas logjikës së kryeministrit dhe hera e fundit, që Shqipëria nuk rrezikohet direkte nga qarqet e ndryshme iraniane për shkak se Islami në Shqipëri nuk ka asnjë kontakt me shiizmin dhe revolucionin islamik të vitit 1979 dhe nuk mund të ketë ndërhyrje të tilla.     

Pozita dhe opozita po konkurojnë për çmimin servili më i madh dhe kur qeveria bën një hap mbrapa, opozita shtyn para drejt një koncepti dhe mbjellje të panikut sikur këtu po kryhen manovrat kryesore të Gardës Revolucionare dhe marinsave amerikanë nga ana tjetër.

Ermir Gjinishi: Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Ambasada Amerikane në Irak u ka dhënë urdhër shtetasve të vet që të largohen nga Iraku, por Iraku është vend fqinj ku janë bazat amerikane. Ne nuk jemi të përfshirë në këtë luftë. Irani nuk ka kohë që të merret me satelitë si Shqipëria.