AKTUALITET, 1 Prill 2026, 13:32

Operacioni/ E kërkonte Italia, kapet i fshehur në Këlcyrë 51-vjeçari me dy identitete! Ishte dënuar për trafik droge, ja sa burg do vuajë

Operacioni/ E kërkonte Italia, kapet i fshehur në Këlcyrë

Një 51-vjeçar me dy identitete është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi kërkohej nga drejtësia italiane, i dënuar në mungesë me 10 vite burgim për trafik droge.

I arrestuari është Fatbardh Çela, allias Gentian Çela, nga Këlcyra, aty ku dhe u finalizua operacioni i koduar “Fugitive” (Arratisja), me qëllime ekstradimi drejt Romës.

“Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Këlcyrë, në kuadër të një operacioni policor të koduar “Fugitive”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarkun e Gjirokastrës. Në pranga ka rënë 51-vjeçari Fatbardh Çela alias Gentian Çela, banues në Këlcyrë, i cili ishte dënuar me 10 vite burgim nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike”, thanë burime zyrtare.

Sipas njoftimit, “operacioni u organizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit”.

“51-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Veronës e kishte dënuar me 10 vite burg për trafik droge. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Romë, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë”, sqaruan uniformat blu për detajet e aksionit.