AKTUALITET, 1 Prill 2026, 10:22

Vendimi/ Shtyhet seanca në themel për Veliajn e 29 të pandehurit e tjerë! Kryebashkiaku mungoi në GJKKO! Avokati: Lexon 200-300 faqe në ditë

Vendimi/ Shtyhet seanca në themel për Veliajn e 29 të pandehurit

Është shtyrë seanca në themel për kryetarin  e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit e terë. Në sallë ishin të pranishëm dy prokurorët e çështjes, ndërsa disa të pandehur munguan.

Veliaj nuk ishte i pranishëm personalisht, por kishte dërguar një deklaratë ku shprehej se dëshiron të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në seancë. Gjithashtu mungonte edhe Ajola Xoxa, ndërsa mbrojtësit e saj ishin të pranishëm.

Nga ana tjetër, mungonin shumica e të pandehurve të tjerë, ndërsa i vetmi i pranishëm personalisht ishte Elman Abule.

Gjatë seancës, avokati Sokol Hazizaj kërkoi që klienti i tij, Fatmir Bektashi, së bashku me shoqërinë e tij, të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Kjo kërkesë shkaktoi kundërshti nga përfaqësuesit e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado.

Dado vuri në dukje se gjatë 8 muajve të fundit procesi nuk ka mundur të hyjë në fazën e gjykimit, duke e cilësuar kërkesën si një strategji për të zvarritur çështjen, ndërsa Hazizaj argumentoi se kërkesa ishte e thjeshtë dhe e bazuar në ligj, me qëllim ekonominë gjyqësore.

Avokati Plarent Ndreca theksoi se prezenca e tij nuk ka për qëllim shtyrjen e seancës, por respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe se është për ekonomi gjyqësore, por jo në dëm të të pandehurve. Ai gjithashtu u bashkua me kërkesën e avokatit Artan Simoni, i cili mungonte, për të shtyrë seancën deri në praninë e të gjithë të pandehurve.

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca në një prononcim për mediat tha se dosja ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës është shumë voluminoze.

Pas shtyrjes së seancës në themel, ai deklaroi për mediat se nuk ka strategji për të shtyrë procesin, por duan kohë për t’u njohur me dosjen.

Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, pasi siç u shpreh avokati Ndreca, ai i është drejtuar me shkresë gjykatës, ku argumenton se është duke lexuar dosjen.

Gjithashtu ai tha se ka një nxitim për këtë çështje nga ana e gjykatës, ndërsa shtoi se prokurori Ols Dado kishte një reagim emocional në sallën e gjyqit, që nuk janë në përputhje me rolin e tij.

“Unë vlerësoj që ajo që konstatohet është fakti që ka një nxitim për të bërë një proces që është voluminoz. Ju e dini që ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë mundësinë Erion Veliajt për tu mbrojtur. Nuk e kuptoj nxitimin, nuk e kuptoj nxitimin për të cënuar të drejtat kushtetuese.

Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt është një lidhje emocionale dhe nuk ka lidhje me përputhjen e rolit të prokurorit.

Nuk ka strategji për ta shtyrë, por për ta njohur çështjen në themel. Ne do kemi një ekip jo vetëm avokatësh, por edhe ekspertësh.

Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij. Ai akoma nuk është njohur me dosjen. Ka filluar leximi, ai lexon me një rritëm 200-300 faqe në ditë dosjen. Por është një dosje shumë voluminoze. Vetëm prova materiale janë rreth 1500 faqe”, tha Ndreca.