AKTUALITET, 28 Shtator 2023, 15:46

Nga 1 tetori nis rritja e indeksimit të pensioneve, qeveria miraton vendimin

Nga 1 tetori nis rritja e indeksimit të pensioneve, qeveria miraton

Miratohet indeksimi i pensioneve në masën 8.6 %. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në masën 8.6%. Vendimi parashikon indeksimin në masën 8.6% të të gjitha kategorive të pensioneve, (pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj).

Kështu, të gjitha kategoritë e pensioneve do të paguhen me një rritje prej 8.6 % dhe përfitues do të jenë mbi 767 mijë qytetarë në të gjithë vendin. Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë. Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

Në mënyrë të vazhdueshme, si një masë mbrojtëse për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme, Qeveria ka  ndërmarrë politika që kanë pasur si qëllim forcimin e mbrojtjes sociale, ndaj dhe shpenzimet nga buxheti shtetit kanë ardhur në rritje. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë.

Vit pas viti këto shpenzime rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës, pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar që trajtohet nga skema, si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.  Krahas këtyre rritjeve, Qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të garantojë përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sh.a. dhe bankat tregtare zbatimin e plotë të këtij vendimi për të gjithë individët përfitues.