AKTUALITET, 28 Shtator 2023, 13:53

Dyshohet se keqpërdori fondet për klubin sportiv, arrestohet ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit

Dyshohet se keqpërdori fondet për klubin sportiv, arrestohet

Ish-nënkryetari i bashkisë së Librazhdit, Andri Çota është vënë në pranga nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim se dyshohet se ka abuzuar me fondet e klubit sportiv 'Sopoti'.

Policia bën të ditur se Çota gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik. 

Njoftimi i policisë:

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim detyre. Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyrës, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë  së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi A. Ç., 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.