AKTUALITET, 28 Shtator 2023, 13:24

"Poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës", Arlind Qori dënon ashpër deklarimet e Ramës për sulmin terrorist

"Poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të

Arlind Qori, drejtues i "Lëvizja Bashkë" i dënoi ashpër deklaratat e kryeministrit Rama, gjatë konferencës së sotme me gazetarët.   

Qori tha se ndërsa Rama përmendi kusuret e shumta të qeverisë së Kosovës për ngecjen e dialogut me Serbinë, ai nënkuptoi se fajin për ngjarjet e ditëve të fundit i ka viktima, pra Kosova dhe jo Serbia.

Ndërsa thirrjen e Ramës që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës, Qori e cilësoi poshtërsinë më të madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

Reagimi i Qorit

Nga konferenca e tanishme për media e Edi Ramës, e fokusuar mbi situatën në Kosovë, përveç dënimit të pritshëm të agresionit ndaj Kosovës dhe identifikimit të qeverisë së Serbisë me agresorët, mund të shkëputen disa elementë problematikë.

1. Rama përmendi kusuret e shumta të qeverisë së Kosovës për ngecjen e dialogut. Pra fajin e ka pasur vetëm Kosova dhe aspak Serbia. Afërmendsh kjo nuk justifikon agresionin e armatosur ndaj Kosovës, por Rama jep mesazhin e nënkuptuar se kontekstin për agresionin e ka përftuar vetë viktima. Pra fajin, qoftë edhe pjesërisht, e ka viktima.

2. Rama bëri thirrje që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Jo të ruajë seriozisht kufirin nga depërtimi i grupeve të terrorit e krimit, as të ndihmojë Policinë e Kosovës në ruajtjen e rendit në veri, por marrjen e pushtetit material në veri. Për analogji, kjo është çka KFOR-i bëri në Kosovë kur dëboi ushtrinë dhe policinë e regjimit të Millosheviçit. Duke hequr këtë paralele, Rama po i ofron veriut të Kosovës në raport me shtetin e Kosovës atë që fitoi Kosova në raport me Serbinë më 1999. Nëse kjo nuk është budallallepsje nga padija, është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

3. Rama bëri thirrje për kthimin pa kushte në tryezën e dialogut me Vuçiçin, duke theksuar nevojën e krijimit të asosacionit. Gjithsesi debati mbi asosacionin nuk ka qenë më a duhet të bëhet, por si dhe me ç'hapa duhet të bëhet. Pra asosacioni (brenda detyrimeve kushtetuese) do të bëhet me KUSHTIN që Serbia të njohë Kosovën apo me SHPRESËN që Serbia do ta njohë Kosovën? Qëndrimi i qeverisë së Kosovës ka qenë opsioni i parë. Përfaqësuesit e BE kanë zgjedhur opsionin e dytë. Kurse Vuçiçi ka dalë me opsionin e tretë: Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën as de jure, as de facto. Se për çfarë do të dialogohet në këto kushte, nuk e kuptoj!

4. Rama përsëriti parimin se kur i bën bisht një marrëveshjeje (të mirë?!), mund të marrësh një më të keqe. Këtu ka dy probleme. Marrëveshjen e Ohrit e ka nënshkruar Kurti, por nuk e ka nënshkruar Vuçiçi. Po ashtu, pse e njëjta logjikë nuk vlen për Serbinë që të mos shpresojë marrëveshje më të mirë për veten?!

5. Edhe kësaj here, si lord anglez, Rama i ka konsideruar konfliktet ballkanike si hajvanllëk të së shkuarës. Afërmendsh askush nuk e do luftën në vetvete, por shekulli XX nuk ka lindur nga budallallëku i popujve të paqytetëruar të Ballkanit, por nga një kompleksitet faktorësh historikë, socialë e gjeopolitikë. Për pasojë paqja permanente nuk është thjesht çështje e vullnetit të mirë, por një përgjigje shumëplanëshe e problemeve të së shkuarës e të tashmes.

6. Në fund, si për t'i hedhur pak piper nënçmimi kulturor kritikëve të tij nga Kosova, Rama është tallur me shqiptimin Vuqiq (më thonë që jam vëllai i VuQiQit) të emrit të presidentit të Serbisë nga një pjesë e qytetarëve të Kosovës. Me arrogancën e një "çuni Tirane" i ka treguar drejtshkrimin zyrtar qytetarëve të Kosovës.