TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka deklaruar në një emision televiziv, se sipas thënieve të një kryetari dege, 60% e delegatëve që kanë firmosur për Kuvendin e datës 11, nuk dinë se çfarë kanë firmosur, pasi shumë prej tyre "u është vënë një teke raki përpara".
"Po ju dëshmoj një tjetër pohim të një kryetari dege, që është bashkuar me lëvizjen e Berishës, në mbledhjen me 70 kryetarë degësh, në degën time tha kanë firmosur 60% të delegatëve. Por tha, këto 60% nuk dinë çfarë kanë firmosur sepse iu është vënë një teke raki përpara, kanë kthyer teken e rakisë dhe kanë hedhur firmë pa e ditur fare, 20% kanë firmosur për hatër se iu është kujtuar që të kemi punësuar këtu, ke qënë drejtor, etj...", ka thënë Gazment Bardhi në 'Real Story'.
Pas kësaj deklarate, reagimet ndaj Bardhit kanë qenë shumë të ashpra nga demokratët, disa prej të cilëve kanë kërkuar dorëheqjen e tij.
Kjo ka bërë që Sekretari i Përgjithshëm të reagojë duke u justifikuar. Ai ka thënë se lajmet ndaj tij janë sajesa dhe se "i janë vënë në gojë fjalë që nuk i ka thënë".
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Pas sajesave të ulëta ndaj Kryetarit të PD për gjoja fyerje ndaj anëtarëve të Partisë, prej disa ditëve kanë nisur të njëjtat sajesa ndaj meje, duke më vënë në gojë fjalë që nuk i kam thënë dhe nuk do t’i thoja kurrë për demokratët. Deklaratat e mia janë publike dhe në të njëjtin lajm të sajuar keq, kushdo mund të dëgjojë çfarë kam thënë për të kuptuar që titulli i lajmit është thjesht një gënjeshtër.
Transformimi i të vërtetave është tregues i hallit të madh të atyre që po mundohen të keqpërdorin demokratët, pamundësinë e tyre për një jetë më të mirë, sakrificën e përditshme dhe dëshpërimin nga pengesa për ndryshim.
Këtë e bëjnë të njëjtët individë që anëtarët e partisë dhe votuesit e Partisë Demokratike i kanë parë vetëm si mundësi për pushtet personal, për të shtuar mirëqenien dhe pasurinë e tyre. Janë të njëjtët që demokratët e vërtetë, që kanë sakrifikuar për PD pa marrë kurrë asgjë në këmbim, i kanë lënë prej 30 viteve pas derës, në varfëri ekstreme, që nuk iu gjendën kurrë, kur kishin një problem, që i lanë pa ua legalizuar shtëpitë, pa u dhënë hipotekën e banesës, pa u dhënë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, pa u kthyer pronat, që i sillnin vërdallë me muaj apo vite për një vend pune.
Kjo kategori është më e zjarrta për nxitjen e perçarjes mes demokratëve. Jam i bindur se mes nesh nuk do të triumfojë dëshpërimi, hakmarrja, inatet, përçarja. Në 18 dhjetor ne do të tregojmë se kemi kurajo për të kapërcyer bashkë vështirësitë dhe mosbesimin! Të bashkuar do të ringrihemin dhe do të fitojmë!