AKTUALITET, 29 Nëntor 2021, 21:12

"Rama mbështet më të dobëtin, pra Bashën"/ Shehaj: Si m'u vërsulën të besuarit e Bashës, kam qenë i përjashtuar de facto nga PD

"Rama mbështet më të dobëtin, pra Bashën"/
Agron Shehaj në "Të Paekspozuarit"

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka deklaruar se do të përfaqësojë demokratët në Kuvendin e datës 11, për shkak se ky është vullneti i tyre dhe këtë gjë e ka konfirmuar kur verifikoi fimat e delegatëve, për mbledhjen e Kuvendit. 

Shehaj tha se është sulmuar nga mbështetësit e Bashës, që prej momentit kur ai kandidoi për kryetar të kësaj partie dhe se de facto ka qenë i përjashtuar dhe mënjanuar nga partia. 

Agron Shehaj: Unë telefonova personalisht pothuajse të gjithë delegatët që kanë firmosur për Kuvendin e datës 11 dhjetor. Pothuajse të gjithë, 98% me konfirmuan se ata kanë firmosur. I telefonova pa i paralajmëruar apo përzgjedhur. Është e qartë që firmat, duam po nuk duam, ato janë aty. Kush do të verifikojë, mund të shkojë t’i marrë dhe ti verifikojë. Unë zgjodha njësitë 5 dhe 7, sepse kam drejtuar aty dhe pjesën më të madhe e njoh.

Ylli Rakipi: Media e pushtetit që mbron Lulzim Bashën tani, ju bëri edhe një kurth. Pse mendoni se kryeministri dhe qeveria vendosen në mbështetje të Lulzim Bashës?

Agron Shehaj: Është e qartë që mediat e pushtetit do të mbrojnë më të dobëtit. Në PD ka një përcarje. Rama nuk do të mbështesë Bashën apo Berishën sepse ka dashuri për ta. Por ai ka interesin e vet, të mbështesë palën më të dobët. Pala më e dobët qartësisht është Lulzim Basha. Nuk ishte ndonjë zbulim i madh fakti që firmat janë dhe janë shumë më tepër seç duhet.

Ylli Rakipi: Ju u sulmuat nga njerëzit e Bashës fortë. Keni komunikim me ta?

Agron Shehaj: Jo.

Ylli Rakipi: Përse? Se ju jeni në një parti.

Agron Shehaj: Që më janë vërsulur, ka nisur që kur kandidova për kryetar të PD. Aty ka filluar izolimi, apo de facto përjashtim. Me vendimet që ka marrë Basha pas zgjedhjeve, unë de facto kam qenë i përjashtuar nga PD. Kam qenë i mënjanuar.

Ylli Rakipi: Cfarë ju është thënë ju?

Agron Shehaj: Asgjë.

Ylli Rakipi: Nesër ti vendos të shkosh në PD. Cfarë bën atje?

Agron Shehaj: Unë jam deputet. Unë nuk vendosa të marr pjesë në Kuvendin e datës 11, sepse më ishin mbyllur mundësitë me kryetarin Basha. Vendosa sepse duke kontrolluar firmat, mbështetja midis demokratëve, reagimet pro Berisha në rrjetet sociale, sondazhet e shumta që janë bërë, e dimë shumë mirë si e nxjerrin Bashën dhe si nxjerrin Berishën. Tregojnë qartë që demokratët duan ndryshim, duan të bëjnë Kuvendin. Unë si përfaqësues i Kuvendit duhet të shkoj nëse mendoj se është legjitim dhe është legjitim.