TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pasi sulmet Ruse në Ukrainë nisën në fund të muajit shkurt, vendi ynë u përfshi në panik për sigurinë e furnizimeve me grurë, duke qenë se importet e drithërave nga ky vend zënë rreth 47% të importeve totale në vite të zakonshme.
Përkundrazi, me të nisur lufta importet nga Rusia u dyfishuan gjatë marsit. Sipas të dhënave zyrtarë të INSTAT gjatë muajit mars u importuan nga Rusia mbi 10 mijë tonë grurë nga 5 mijë tonë në marsin e vitit 2021 me një rritje mbi 100%.
Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pohuan se importet e drithit me origjinë nga Rusia nuk janë përfshirë në sanksione deri më tani.
Për të gjithë tremujorin e parë importet e drithërave nga Rusia ishin 20 mijë tonë me ulje 21 për qind në krahasim me tremujorin e parë 2021, si rrjedhojë e importeve më të ulëta para luftës në muajt janar dhe shkurt. Importet totale të drithërave në tremujorin e parë arritën në 61 mijë ton me rënie vjetore 4 për qind.
Importet e drithit nga Rusia zunë 32 % të importeve totale të këtij produkti gjatë tremujorit të parë 2022, në krahasim me 40% që zunë në janar-mars 2021.
Gjithashtu për shkak të rritjes së çmimeve, importet e drithërave në vlerë ishin më të larta këtë tremujor.
INSTAT raportoi se çmimi për njësi i grurit pësoi rritje vjetore me 108 për qind në tremujorin e parë 2022. Vlera e drithërave të importuara nga Rusia në janar -mars arriti në 1,3 miliardë lekë me një rritje vjetore 63 për qind.
Një kilogram grurë i blerë në tregjet ruse kushtoi këtë vit 65 lekë nga 31 lek që kushtonte në tremujorin e parë 2021. Edhe pas luftës Rusia mbetet furnitori kryesor i tregut tonë me drithëra. Qeveria shqiptare pas sulmeve në Ukrainë ka vënë sanksione ndaj Rusisë të cilat nuk përfshijnë importet e drithërave dhe shumicës së mallrave.
Ministria e Jashtme ka sqaruar se Shqipëria iu është bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse.
Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE-ja, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesi.
Sipas saj, sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. Sipas sanksioneve, hapësira ajrore e Shqipërisë do të jetë e mbyllur për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore.
Ministrja Xhaçka ka sqaruar me herët se, në sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse./Monitor