AKTUALITET, 27 Maj 2024, 15:16

Majko: Politika shqiptare më keq se në 1990, sot ka më shumë se një opozitë!

Majko: Politika shqiptare më keq se në 1990, sot ka më shumë

Deputeti i PS, Pandeli Majko ka folur për projektrezolutën e depozituar nga mazhoranca, gjatë seancës së Kuvendit. Në fjalën e tij, Majko tha se rezoluta do ta çojë më tej perspektivën europiane të vendit.

Ai iu përgjigj akuzave të opozitës për SPAK, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme është suksesi më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi. Majko shtoi se veprimet e SPAK kanë prodhuar politikë sepse janë marrë me politikën, ndërsa shtoi se sot vendi ka më shumë se një opozitë. Sipas tij, politika shqiptare sot është më keq se në vitin 1990, kur vendi ndodhej para ndryshimeve historike.

“Sot statusi i Shqipërisë është në ditën më të mirë në procesin e integrimit europian. Por statusi i politikës shqiptare përballë publikut është në ditën më të keqe që prej dhjetorit 1990. Sot ka më shumë se një opozitë. Vlerësoj se veprimi i drejtësisë mbi politikën ka krijuar edhe një opozitë tjetër. Ajo lidhet me SPAK i cili duke u marrë me politikën ka prodhuar politikë.

SPAK nuk është organizatë kriminale, por suksesi më i rëndësishëm i reformës në drejtësi duke e kthyer atë në strukturën shtetërore më popullore në publikun shqiptar. Rezoluta që po diskutojmë nuk është revolucioni i munguar në radhët tona. Ju mund të keni dyshimet tuaja për t’i parë paragrafët e rezolutës si kurthe të cilat mazhoranca po ia ofron për të dalë si djem të mirë në marrëdhënie me Brukselin dhe Uashingtonin. Qeverisja është e mazhorancës, jo shteti. Shteti po hyn në një fazë të re të integrimit në BE. Ne do ta ndjekim këtë proces ose si protagonistë të reformës ose me statusin e kandidatit për në burg. Të shihet ose si kapitull i parë i një libri i ri ose një pamundësi e jona për t’u bërë atë që duam. Rezoluta flet për Shqipërinë e 2030, flet për një Shqipëri që ka zgjedhje dhe votues për të na vlerësuar deri atëherë. Ne socialistët jemi në mandatin e tretë qeverisës, duhet të ishim të lodhur dhe opozitës duhet t’i shkëlqente qëllimi i të ardhmes. Ju duhet të ishit protagonistët e kësaj rezolute”, -tha Majko.