TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mjekja onkologe, Lida Shosha, u bëri apel autoriteteve shtetërore që të investojnë në shërbimin hematologjik dhe transplantin e palcës në këtë vend. Reagimi i mjekes erdhi pas vdekjes së avokates Denisa Daka, e cila nuk pati mundësi të përballonte financiarisht transplantin e palcës në një klinikë jashtë vendit, ndërsa ky shërbim nuk është i mundur në Shqipëri, sepse mungojnë mjekët e specializuar.
Mjekja Shosha thotë se kjo sëmundje e rëndë i ka marrë të atin dhe shumë prej të njohurve, që nuk mund të kurohen në vend dhe s’kanë mundësi financiare për të shkuar në klinikat e huaja.
Thirrja e mjekes është përtej profesionit, është njerëzore, teksa u drejtohet pushtetarëve: Lërini ca rrugë pa bërë, shpëtoni ca jetë, kursejini shqiptarëve ca dhimbje e lot, investoni në shërbimin hematologjik dhe transplantin e palcës në këtë vend, është vonë, por kurrë shumë vonë për të qenë pranë njerëzve që ju kanë votuar, e që jeta u varet në fije të perit, e sytë i kanë veç drejt Zotit”.
Reagimi i mjekes Lida Shosha
Bëni dhe një autostradë për në parajsë...
Nuk ja doli dot, jo jo, kuptojeni këtu vdes.Vdiq im atë, e sa të tjerë. Dëgjojmë shpesh, e shohim si shuhen para syve njerëzit tanë, e njerëz të ndryshëm, intelektualë e të thjeshtë të këtij vendi për sëmundje që nuk kurohen këtu, po përtej detit, po.
Po si mund t’ia dalë një njeri i vetëm përballë një leuçemie, limfome agresive, kancerave të gjakut që nuk po ngopen me jetët e shqiptarëve të mjerë.Duhet një makineri e fuqishme, me armatim të rëndë të luftosh e fitosh këto sëmundje.
Po bota perëndimore, ku është bota, ah sa shumë përpiqet t’i shpëtojë nga kthetrat e vdekjes, këtë kategori, duke ofruar terapi inovative, bashkohore e deri tek transplanti i palcës, "golden art procedure" për t’u dhënë një shans për të qenë mes nesh. Një kancer që tashmë është i kurueshëm. Po, po, por i kurueshëm për ata që jetojnë jashtë Shqipërie.
Përse shteti shqiptar nuk financon këtë shërbim jetik për shtetasit e vet, kur bota ka mbi 30 vjet që e ofron, këtu është çështja. Dhe sa fëmijë do të vdesin, sa adoleshente e adultë, pleq e plaka s’do shohin më dritën e diellit, se shtetit s’i bie ndërmend, se shteti është i verbër të shohë klithmat jetike shëndetësore, po i bie ndërmend të investojë në autostrada, tunele, resorte, etj që bëhen, zhbëhen, bëhen prapë, në të cilat ecën vargani me arkëmortet e njerëzve që humbin jetën përditë nga pamundësia për të kapërcyer përtej detit. Bëni dhe një autostradë për në parajsë...
Sot jam e hidhëruar, Denisën nuk e njihja, por ishte mike e ngushtë e Enit, dhe ditët e fundit jemi informuar dhe interesuar për shëndetin e saj, por ishte tepër vonë. Dhe jo vetëm, familjarë e të afërm të kolegeve të mia, humbën jetën pikërisht këto 2-3 javët e fundit. Janë kaq shumë të humbur, e frikshme si u rrëshqet jeta dhe për disa ditë janë veç kujtime që dhembin.
A e dini sa shumë luftojmë e përpiqemi për të shpëtuar një jetë me tumor, sa orë të tëra djersijmë në salla operatore e më pas, sa e vështirë është t’i rrëmbesh nga kthetrat, vdekjes një njeri e ta mbash në jetë? Shumë e vështirë është. Po zgjohuni, pra, qeveritarë!
Lërini ca rrugë pa bërë pushtetarë, shpëtoni ca jetë, kursejini shqiptarëve ca dhimbje e lot, investoni në shërbimin hematologjik dhe transplantin e palcës në këtë vend, është vonë, por kurrë shumë vonë për të qenë pranë njerëzve që ju kanë votuar, e që jeta u varet në fije të perit, e sytë i kanë veç drejt Zotit.
