AKTUALITET, 30 Janar 2024, 18:28

'Kushtetuesja' dritë jeshile marrëveshjes me Italinë për emigrantët, deputeti i PS zbulon se kur do të jetë gati qendra e strehimit në Gjadër

'Kushtetuesja' dritë jeshile marrëveshjes me Italinë

Gjykata Kushtetuese i dha dritën jeshile dje marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Në lidhje me këtë çështje ka folur deputeti socialist, Etjen Xhafaj, ndërsa tha se qendra e strehimit në Gjadër të Lezhës do të jetë gati brenda 6 mujorit të parë të vitit.

Xhafaj tha për report.tv se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregoi se nuk ka asnjë anti-kushtetutshmëri në marrëveshje me shtetin fqinj.

“Ashtu siç e kemi thënë edhe ne, nuk kemi dorëzuar asnjë të drejtë kushtetuese tek Italia. Kemi një tokë e cila është pronë ushtarake për përdorim të përkohshëm tek e cila do trajtohen emigrantë që kanë synim të shkojnë në Itali dhe pastaj do t’i kthehet prapë Shqipërisë. Besoj se do jetë gati brenda 6 mujorit të parë të këtij viti. Ka një iniciativë që duhet të zhvillohet. Pastaj do të shikojmë sesi do të zhvillohet”- u shpreh deputeti.