TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbi 21 milionë euro do i ndahen kompanisë Contour Global, pasi që ka fituar arbitrazhin ndaj Republikës së Kosovës në lidhje me projektin për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, kontratë kjo që ishte nënshkruar në vitin 2017.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë sot 21 milionë euro për realizimin e pagesës ndaj ‘Contour Global’, kompanisë amerikane e cila e fitoi rastin kundër Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e propozoi sot në mbledhjen e Qeverisë ndarjen e mjeteve në shumë prej 21 milionë euro për pagesën e dëmshpërblimit ndaj kompanisë amerikane e cila vitin e kaluar e fitoi betejën kundër Kosovës në Arbitrazh.
“Bëhet fjalë për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë që të ndahen mjetet shtetërore në shumën prej 21 milionë euro për pagesë, sipas vendimit të Tribunalit të Arbitrzahit, për rastin e Countour Global kundër Republikës së Kosovës”, tha ministri Murati.
Gjatë fjalimit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projekt nuk ka qenë i dobishëm për vendin që kur ishte planifikuar.
“Siç kemi thënë vite më parë ashtu edhe rezultoi. Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet, as s’ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin tonë.
Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha.
Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, ka thënë ai në mbledhje të Qeverisë.
Në fund të vitit 2017, ‘ContourGlobal’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.
Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.
Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020. Disa ditë më vonë, njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës.
Në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ContourGlobal kërkoi dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Sipas marrëveshjes së vitit 2017, parashihej ndërtimi i termocentralit me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohej të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihej në punë në vitin 2023.
Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” ishte llogaritur të jetë 40 vjet.
Termocentralit “Kosova e Re” ishte kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet herë pas here me mungesë të energjisë elektrike./Monitor