AKTUALITET, 11 Korrik 2024, 11:46

Kapet autori i dyshuar i atentatit që tronditi “Don Boskon”, i gjendet municion luftarak

Kapet autori i dyshuar i atentatit që tronditi “Don Boskon”, i

Policia e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin me iniciale Andrea Bregasin, autorin e dyshuar të atentatit që tronditi “Don Boskon”. 33-vjeçari është arrestuar në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, në Durrës, ndërsa ishte i shpallur në kërkim për atentatin e dështuar.

Gjatë arrestimit atij iu gjet arma e zjarrit me krehrin dhe 9 fishekë.

“Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.

Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi A. B. ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, njofton policia.

Në dhjetor të vitit 2023, A.B., dyshohet se qëlloi me pistoletë automjetin që drejtohej nga R. Z. 42-vjeçari menjëherë lajmëroi policinë, teksa fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk prekën drejtuesin e mjetin dhe dy pasagjerët.

A. B., pas ngjarjes është larguar me këmbë, ndërkohë që është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë në këtë zonë.

Policia njoftoi se do të jepte shpërblim për këdo që jepte informacion lidhur me vendndodhjen e të arrestuarit.