AKTUALITET, 27 Nëntor 2022, 13:13

"I them bashkisë të mos përzihet"/ Veliaj refuzon mitingun e Berishës te kryeministria: Bëjeni te sheshi “Skënderbej”!

"I them bashkisë të mos përzihet"/ Veliaj refuzon
Erion Veliaj dhe Sali Berisha

Bashkia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të zhvilluar protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në datën 6 Dhjetor, ditën kur në kryeqytet do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në përgjigje thuhet se pjesa e madhe e rrugëve do të jenë në funksion të këtij samiti, ndërkohë propozon që protesta e opozitës të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Bashkia e Tiranës tha se, në rast se Partia Demokratike e pranon propozimin, do të lëshojë leje për zhvillimin e protestës në këtë shesh. Berisha përsëriti edhe sot se do ta mbajë mitingun e 6 dhjetorit, siç është paralajmëruar, te kryeministria. 

Në një prononcim për media në përfundim të mbledhjes së Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha tha se më 6 dhjetor, do të mbahet protesta më e madhe që kanë njohur ndonjëherë shqiptarët.

“6 dhjetori do të jetë protesta më madhështore që kanë parë shqiptarët. Dhe ata do të ngrihen në emër të idealeve evropiane për të drejtat e tyre. Ajo protestë do të mbahet përpara kryeministrisë. I them bashkisë të mos përzihet se nuk ka forcë në botë që e ndalon. Unë e di që Edi Rama kërkon të ketë dhunë. Bën mirë që atë ditë dhe ato dyert e kryeministrisë të mos i blindojë se do bëhet lajm botëror"-deklaroi Berisha.

Përgjigja e bashkisë

Në përgjigje të kërkesës suaj protokolluar pranë Bashkisë Tiranë me nr. prot. 41516, dt. 23.11.2022, nëpërmjet së cilës kërkoni leje për vendosjen e një foltoreje në kuadrin e organizimit të një tubimi protesë në bulevardin Dëshmorët e Kombitt, nga ora 12:00 deri në orën 16:00, si dhe bazuar në shkresën e bërë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me nr. E-431prot., dt. 24.11.2022, ku shprehet ndalimi organizimit të ketij tubimi për shkak se bie në kundërshtim me perimetrin e sigurisë të cituar në shkresën përkatëse, ju bëjmë me dije se kërkesa juaj nuk mund të miratohet.

Bashkia Tiranë, si njësi e vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës do organizohet samiti Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është e angazhuar me organizimin e këtij Samiti, sipas fushës së funksioneve që ajo mbulon.

Për sa më sipër, Bashkia Tiranë e ka të pamundur t’iu pajisë me një leje për zënien e hapësirës publike për zhvillimin e tubimit që ju kërkoni të zhvilloni në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke qenë se për shkak të zhvillimit të samitit të Bashkimit Evropian në qytetin e Tiranës, pjesa më e madhe e rrugëve në qytet do jenë në funksion të mbarëvajtjes së këtij samiti, duke mos cënuar të drejtën tuaj për tubime, ju propozojmë zhvillimin e tij pranë Sheshit Skënderbej.

Për sa me sipër, nëse jeni dakord me këtë propozim, na bëni sa me shpejt me dije, që Bashkia Tiranë të vijoj me lëshimin e lejes përkatëse për zhvillimin e këtij tubimi.

"I them bashkisë të mos përzihet"/ Veliaj refuzon
Pëgjigjia e bashkisë