AKTUALITET, 14 Qershor 2022, 10:22

Harta e re gjyqësore/ Avokatët e Beratit në protestë, do të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore

Harta e re gjyqësore/ Avokatët e Beratit në protestë, do

Vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkotimin e seancave gjyqësore i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatëve të Beratit. Që prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, të gjithë avokatët e Beratit kanë bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore, përveç masave të sigurisë.

Bojkoti i të gjitha seancave gjyqësore nga ana e avokatëve do të vijojë nga sot e deri në datën 17.

Bojkoti erdhi pas vendimit për ndryshimin e hartës së re gjyqësore, nga e cila do të shkrihen disa gjykata në qytete të ndryshme, një prej të cilave edhe Gjykata e Apelit Vlorë, që mbulon jugun e vendit, e cila mendohet të transferohet në Tiranë.

Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit, Plarent Lapardhaja ka deklaruar se vendimi për ndryshimin e hartës së re gjyqësore penalizon jo vetëm avokatët por edhe qytetarët.

Lapardhaja ka deklaruar se ky bojkot do të vazhdojë për katër ditë me radhë dhe se avokatët e Beratit do t’i bashkohen çdo vendimi që do të merret nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.