AKTUALITET, 22 Qershor 2022, 13:10

Gjyq i pazakontë! Qindra banorë të fshatit thirren në SPAK, kërkohet konfiskimi i pasurive të subjektit të OFL

Gjyq i pazakontë! Qindra banorë të fshatit thirren në SPAK,

Një gjyq aspak i zakontë po zhvillohet në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku janë thirrur për të dëshmuar 240 persona të fshatit Kozarë, në Kuçovë. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Klodiana Lala, e cila raporton se banorët e këtij fshati po dëshmojnë me kërkesë të SPAK dhe palës së akuzuar.

SPAK kërkon të konfiskojë, për shkak të OFL, pasurinë e Bektash Shtëpënjës, pasi djali i tij ka qenë i dënuar në Itali për drogë dhe prostitucion.

Ndërkohë, Bektashi ka plotësuar formularin e OFL për dy shtëpi dhe tokën, duke deklaruar se të ardhurat i ka nga autokombajna, me të cilën punon prej vitit 1991, si dhe nga viti 1980 ka qenë pjesë e kooperativës.

Siç mëson gazetarja Lala, deri tani në gjyq kanë dëshmuar 120 bujq, që thonë se “kemi korrur grurin me Bektashin dhe e paguajmë pa faturë, se nuk kemi pasur kurrë nipt e fatura”, ndërkohë që disa prej tyre prej një viti kanë bërë nipt. Prokurorja Elida Kaçkina ka kërkuar konfiskimin e pasurisë, si të ardhur nga krimi.

Bektash Shtëpënja nuk ka qenë sot i pranishëm në gjyq, por ka çuar djalin, pasi ka bërë deklaratë se “jam duke korrur grurin e fshatit. Kur te mbaroj gruri vij ne gjyq, por kam te ardhura me djerse e pune, jo sic thote OFL. S’jam kriminel, i gjithe fshati me njeh. Nuk kam manipuluar deshmite e fshatit, sic thote SPAK, jam punëtor”.