SPORT, 21 Qershor 2024, 20:38

Gianni De Biasi ruan në zemër ‘kuqezinjtë’: Bëra tifo për ta përballë Italisë!

Gianni De Biasi ruan në zemër ‘kuqezinjtë’: Bëra

Ish-trajneri i Kombëtares tonë Gianni De Biasi ende ndihet gjysmë shqiptar.

“Mund të më quani dhe Gani Abazi, jam krenar që jam gjysmë shqiptar dhe gjysmë italian. Sa i takon futbollit jam më shumë shqiptar”, kështu u shpreh ai në nisje të intervistës në Klan News.

Shqipëria në Euro 2024 deri më tani, sipas De Biasi-t ka luajtur mirë. E në fakt siç nuk e prisnim, në ndeshjen hapëse me Italinë, ai bëri tifo për “kuqezinjtë”.

“Ndeshja e parë ishte disi e çuditshme sepse ishte e debutimit. Shqipëria mori avantazh menjëherë pastaj u limitua. Nuk bëri ndeshjen që duhet të bënte, ndoshta presioni ndikoi, por në përgjithësi mund të bënte diçka më mirë. Me Kroacinë, më pëlqeu shumë, kishte raste shumë në pjesën e parë.

Pastaj ishte e zonja Shqipëria për të rikuperuar rezultatin. Unë isha i ftuar nga Presidenti i Federatës Armando Duka dhe zemra ime ishte më shumë për Shqipërinë në këtë ndeshje, për gjithçka që kemi bërë bashkë. Është një nga gjërat më të bukura të jetës time. Futbolli është i tillë, me dy medalje. Pjesa e parë ishte shumë mirë, pastaj 4 minuta kur pësoi ato dy gola. Pastaj kishte forcë e vendosmëri për ta fituar ndeshjen në minutat e fundit.”

Gianni De Biassi u largua nga drejtimi i Kombëtares në vitin 2016. Ai do të mbahet mend gjithmonë si trajneri i parë që kualifikoi Shqipërinë në Kampionatin Evropian.