AKTUALITET, 18 Nëntor 2023, 15:19

Çështja 'Beleri', avokati: Dëshmitari pranoi se është paguar, prokuroria s’dinte gjë

Çështja 'Beleri', avokati: Dëshmitari pranoi se

Avokati i Fredi Belerit, Eugen Gjyzari deklaroi se në seancën e kaluar dëshmitari kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës pranoi se është paguar.

Sipas tij, prokuroria nuk ishte në dijeni për këtë pagesë të paligjshme.

“Në seancën e kaluar, dëshmitari pranoi se është paguar, pas dy orësh pyetje. Kjo është një shkelje shumë e rëndë. Edhe Prokuroria nuk e dinte këtë pagesë të paligjshme, e pranoi dhe vetë Prokuroria që nuk kanë pasur dijeni për atë lloj pagese dhe shefi i policisë e pranoi, pavarësisht se dhe ai në bazë të ligjit nuk duhet ta dinte sepse s’e ka dhe gradën për ta ditur këtë lloj informacioni, kështu që procesi u fut në një rrugë që…këta dëshmitarë janë dënuar disa herë për krime shumë të rënda, madje ky  ka qenë i dënuar në Durrës për vjedhje banesash,” – u shpreh Gjyzari për Euronews.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ai së bashku me bashkëpunëtorin e fushatës elektorale Pandeli Kokaveshi akuzohen për veprën penale të shit-blerjes së votave.