AKTUALITET, 25 Gusht 2022, 12:36

Efektivi u la në burg se ndihmoi Martinajn të arratiset, avokati: Nuk më jep asnjë shpjegim

Efektivi u la në burg se ndihmoi Martinajn të arratiset, avokati: Nuk

Agjenti i Forcave Operacionale, Jeton Lami u la sot në burg nga gjykata. Efektivi 28-vjeçar u arrestua dje. Prokuroria e akuzon atë se ka ndihmuar në transportimin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, pas nisjes së operacionit “Plumbi i artë”.

Në një prononcim për mediat, avokati i tij, Gentjan Rumano ka deklaruar se Lami nuk ka dhënë sot asnjë shpjegim për ngjarjen dhe akuzat që rëndojnë mbi të. Avokat i ka cilësuar si të paqarta rrethanat.

“Nuk ka dhënë asnjë shpjegim deri tani. Qëndrimi jonë ishte vetëm për kushtet e masës së sigurisë. Ne e konsiderojmë të papërshtatshëm që do të qëndrojë në arrest me burg. Janë rrethana të paqarta, derisa të sqarohen. Nuk ka akoma”, u shpreh avokati.

Ervis Martinaj është një nga personazhet më kërkuar të policisë shqiptare.

Ai është shpallur në kërkim për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend. Ndërkohë prej disa ditësh Martinaj rezulton i zhdukur. Në 11 gusht familjarët ngritën alarmin, duke denoncuar në polici se kanë humbur kontaktet me të.