TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nikoll Lesi ka bërë një shkrim në gazetën "Koha Jonë", ku thotë se për Erion Veliajn nuk është aspak e nevojshme të godasë Metën nëpërmjet SPAK, sepse ai gjithsesi e fiton Bashkinë e Tiranës edhe sikur kandidati i opozitës të jetë Meta.
Shkrimi vjen një ditë pasi u mësua se Ilir Meta është nën hetim nga SPAK, por ende nuk dihet se për çfarë po hetohet konkretisht.
Shkrimi i plotë i Lesit:
Dje, krejt papritur, kur akoma nuk ishte mbushur një muaj nga ikja si President Republike, SPAK-u nxitoi të hetonte një akuzë të një ish-deputeti ndaj Ilir Metës.
Arben Kraja kishte firmosur disa shkresa me vrap drejtuar KQZ-së e disa institucioneve, sikurse mësohet, edhe gjendjes civile që Ilir Meta a është Ilir Meta!
Përballë Ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë-kjo aksiomë dihet teorikisht, por realisht nuk po funksionon kështu sepse qeveria është përherë problemi e jo ish-qeverisjet. E mira do të ishte që Sali Berishën dhe Ilir Metën t’i kishte hetuar drejtësia sa ishin në “majë kalit”.
Kjo do të ishte drejtësi!
Tani na thonë se “kemi drejtësi të re”. Dakord! Është drejtësi e re, por jo krejt e pavarur nga qeveria apo më saktë nga pushteti.
Deri tani SPAK-u ka ndaluar, pra arrestuar vetëm dy politikanë. Një ish-ministër dhe një ish-deputet, por të dy ndonëse, Edi Rama i shet si të PS-së, realisht ishin të LSI, partisë së Ilir Metës.
Nuk kemi asnjë deputet apo ministër aktual të Edi Ramës në pranga, përjashtuar Sajmir Tahirin, të cilin e shiten vetë disa nga Rilindja.
Ndërkohë kryeministri i shet këto arrestime me shumë dinakëri, duke thënë se gjoja po na sulmon vetëm ne, SPAK-u. Nëse SPAK-u do të ishte i lirë do të kishte arrestuar ministra apo ish-ministra që janë të Rilindjes dhe që kanë prekur buxhetin e shtetit.
Nuk kemi asnjë hall apo dëshirë të mbrojmë Ilir Metën. Aspak! Bile kam kohë që nuk flas me Ilir Metën (vetëm për qëndrimet e tij të nxituara anti-SHBA), por kush do ta dijë ka informacion se kemi “ura” të ndara me ish-presidentin. Gjithsesi këtë hetim që na shitet si gjoja drejtësi, nuk mund ta gëlltis.
Është thjesht hakmarrje e mirëfilltë politike nga qeveria. Ndërkohë Ilir Meta ndodhet tashmë nën hetim. Ai të mbrohet vetë, por populli nuk mund të mashtrohet se “ja, nga PS-ja kemi bërë arrestime, e tani do merremi me ata të opozitës”. Ndaj hetimi që ka nisur SPAK-u duket mirëfilli politik dhe në shërbim të kryeministrit. Më saktë ky hetim penal ndaj Metës shkon kryekëput në favor të Erion Veliajt.
Veliaj, siç dihet, do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kryebashkiak. Por Erion Veliaj nuk ka pse të pres ndëshkimin e Ilir Metës nga SPAK-u në mënyrë që ta fitojë Bashkinë e Tiranës pa probleme. Ilir Meta duket se është projektuar si kandidat i opozitës në Bashkinë e Tiranës. Edhe për faktin se nuk ka asnjë emër tjetër nga opozita që të jetë lojtar kaq i fortë përballë Veliajt.
Ndërfutja e SPAK-ut në këtë duel mes tyre, krijon shije të keqe te “drejtësia e re”. Erion Veliaj nuk kishte asnjë nevojë të fuste (apo t’ia fusnin) SPAK-un në punë, pasi mendoj se e ka të fituar prapë bashkinë e Tiranës.
Erion Veliaj mund të akuzohet për shumë gjëra, porse për një gjë pranohet: KA PUNUAR në Tiranë. Për mua Erion Veliaj e ka të fituar Bashkinë e kryeqytetit për shumë arsye, por nuk janë objekt i këtij shkrimi pasi do kemi kohë deri në zgjedhje për ti analizuar një e nga një faktorët që e bëjnë Veliajn fitues.
Veliaj fiton se kemi edhe një PD akoma të copëtuar në Tiranë e ku fraksioni Basha-Alibeaj- Tabaku janë të fortë në kryeqytet.
Ndaj nuk kishte pse hynte SPAK-u në një duel elektoral Veliaj-Meta.