AKTUALITET, 8 Shtator 2024, 16:00

Edi Rama vë bast që PD nuk merr më shumë se 25 mandate! Sali Berisha thotë se do të fitojnë zgjedhjet!

Edi Rama vë bast që PD nuk merr më shumë se 25 mandate! Sali

Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku caktoi drejtuesit politikë në qarqe, Edi Rama vuri edhe një "bast" publik, duke shpallur një disfatë të rëndë për kundërshtarin. 

Konkretisht ai tha se PD nuk merr më shumë mandate se në vitin 1997. 

"Në zgjedhjet e ardhshme PD zor se do të marrë më shumë mandate se në 1997. Mbajeni mend! I vetmi ndryshim është se atëherë e gjithë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti, ndërsa këtë herë humnera është destinacion ekskluziv vetëm i asaj partie. Disa thonë se Shqipëria sot është vend pa të ardhme dhe pa mundësi për të mbajtur frymën gjallë. Pa të ardhme dhe me borxhe Shqipëria ishte kur populli i largoi ata që e thonin këtë", deklaroi Rama. 

PD në 1997 ka marrë 336,167 vota dhe 25 mandate përballë 690,003 votave dhe 101 mandateve të Partisë Socialiste. 

Pra, Rama i ka "caktuar" kundërshtarit një rezultat që e hedh përfundimisht në greminë dhe i jep atij shumicë absolute. 

Nga ana tjetër, Sali Berisha, në një përpjekje për të injektuar optimizëm, u shfaq në dy mbledhje të partisë, ku deklaroi se "ky do të jetë shtatori i fundit i PD në opozitë" dhe u shpreh i bindur për fitoren. 

Megjithatë, ai deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhjet me Edi Ramën pasi ai i vjedh dhe se duhet qeveri teknike për të vajtur në zgjedhje. Sipas Berishës, qeveria teknike mund të arrihet vetëm me revoltë popullore, ndaj u bëri thirrje drejtuesve të PD të "frymëzojnë" elektoratin për "protesta të fuqishme". 

"Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. Në 9 muaj kemi përballjen finale kundër së keqes që asgjësoi procesin e vërtetë elektoral. Çdo demokrat dhe demokrate, nga sot e tutje, kur të kërkojë votën për PD, demokratët duhet t'i shihet në sy bindja për fitore. Demokratëve duhet t'i dëgjohet në zë, bindja për fitore, duhet t’ju lexohet në shpirt, bindja për fitore. E gjithë kjo sepse sot më shumë se kurrë, fitorja qëndron në guximin, besimin dhe duart tona.
Këto vite, Partinë Demokratike e plagosën jo pak, kjo nuk mohohet.

Këto vite, me sulmin që na u bë, ne kemi luftuar më shumë në mbrojtje se sa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, programin, pluralizmin politik, opozitën shqiptare. Kjo betejë ka mbaruar dhe realiteti është krejt i ri. Sot ne jemi të bashkuar, sot ne jemi PD, më e fortë se kurrë. Sot jemi në moment përcaktues, për të sotme dhe të ardhmen tonë", tha ndër të tjera Berisha.