AKTUALITET, 10 Qershor 2023, 17:30

“E përkrah!”/ I pari që pranon publikisht se e ka lexuar, politikani shqiptar jep detaje nga drafti i Ramës për asociacionin

“E përkrah!”/ I pari që pranon publikisht se e ka lexuar,

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi duket se është i pari politikan që konfirmon se ka lexuar draft-statutin e hartuar nga kryeministrin Rama për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Grubi zgjodhi të mos fliste për pika specifike të draftit, por shprehu publikisht se e mbështet atë.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se iniciativa e kryeministrit Rama i hap rrugë çtensionimit të situatës në Veri dhe mund të çojë në njohjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. “E lexova draftin. Kisha komunikime dhe me autoritetet në Shqipëri dhe jap përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar këtë situatë të krijuar në veri të Kosovës, por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA-ve në rrethanat e reja të krijuara.

Çdo iniciativë dhe nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshje të mëtejshme është e mirëpritur. Përgëzoj kryeministrin Rama për gatishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, tha Grubi.

Gjithashtu ai shtoi: “E kam lexuar dhe kam komunikuar me autoritetet shqiptare dhe kam përkrahje të plotë për iniciativën e kryeministrit Rama, si një nismë e mirë për të vijuar drejt zgjidhjes së problemit në Veri, por edhe përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke”, tha ai.