AKTUALITET, 13 Maj 2022, 13:42

Dyshohet se përplasi me makinë një të mitur dhe u largua, arrestohet shoferi

Dyshohet se përplasi me makinë një të mitur dhe u largua,

Një 30-vjeçar u arrestua nga policia e Gjirokastrës pasi dyshohet se shkaktoi aksident duke shtypur me makinë një fëmijë të mitur dhe u largua, duke mos i dhënë as ndihmën e parë.

Pas disa orësh kërkime, blutë i vunë prangat të riut, por edhe vëllait të tij.

Së bashku me nënën, ata kundërshtuan arrestimin e 30-vjeçarit. Policia tha se nëna e djemve do të hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë policia nuk ka asnjë njoftim për gjendjen shëndetësore të të miturit.

Njoftimi nga Policia Gjirokastër:

Aksidentoi me automjet një shtetas të mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes, vihet në pranga 30-vjeçari.

Shërbimet e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasin K. J., 30 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen Gur, Këlcyrë, duke drejtuar automjetin tip “Opel”, aksidentoi një shtetas të mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të drejtuesit të mjetit dhe pas pak orësh kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Gjithashtu, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Përmet u arrestua në flagrancë shtetasi K. J. (vëllai i drejtuesit të mjetit), si dhe u procedua nëna e tyre, shtetasja A. J., për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi kanë penguar dhe kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së detyrës.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.