TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria ka miratuar autorizimin për shoqërinë KAYO për të lidhur marrëveshje me dy kompani për ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në Shqipëri.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi doli në një konferencë për shtyp ku prezantoi vendimet e rëndësishme të miratuara.
Ai njoftoi se qeveria ka autorizuar shoqërinë ‘KAYO’ për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani ndërkombëtare, të cilat sipas tij do të jenë italiane, për ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve luftarakë në Shqipëri.
“Po krijohet shtrati pas kaq kohësh për ndërtimin e mjeteve lundruese në Shqipëri. Marrëveshja ende është e pa përfunduar, por kjo do të jetë një nxitje për industrinë ushtarake dhe për vendet e punës,” – tha ministri Nufi.
Ai theksoi se “ky është një hap historik, pasi është hera e parë pas shumë vitesh që krijohen kushtet për prodhimin e mjeteve të tilla në vend. Vendimi është diskutuar edhe në mbledhjen e përbashkët të qeverisë shqiptare me atë italiane.”
Ministri foli edhe për pjesëmarrjen e forcave të armatosura në misionet ndërkombëtare, duke e cilësuar si dëshmi të përgatitjes së efektivëve shqiptarë dhe rolit aktiv të Shqipërisë si aktor në ndërhyrjet e përbashkëta me partnerët.
I pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria do të lejonte përdorimin e saj nga Shtetet e Bashkuara për operacione kundër Republikës Islamike të Iranit, Nufi u shpreh:
“Mbetet për t’u vlerësuar në momentin që një kërkesë e tillë do të vijë. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe besoj se gjithë vendimmarrja lidhet me përfshirjen e Shqipërisë në aleancë.”
Ai shtoi se çdo vendim i tillë do të merret në koordinim të plotë me aleatët dhe në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në NATO!
Nufi: Miratuam 2 VKM për autorizimin e shoqërisë KAYO për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronët. Këto dy vendime të Këshillit të Ministrave janë domethënëse, është hera e parë që krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese, kjo është diçka që na bën të ndihemi krenarë dhe jemi afër të finalizimit të marrëveshjeve me këtë autorizim që jep Këshilli i Ministrave. Do të jetë nxitje jo vetëm për industrinë ushtarake, por edhe nxitje për punësimin, krijimin e një hapi të mirëfilltë të ndërtimit të mjeteve lundruese!