TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar të shumëkërkuar nga autoritetet italiane për një vrasje të ndodhur në vitin 1999.
Ylli Vangjelaj 48 vjec nga Vlora, është arrestuar në Janinë pas një kërkese të departamentit “SIRENE” të Italisë për veprën penalë “vrasje-plagosje e rëndë” me të cilin ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Bolonjës me 22 vjet e 8 muaj burg në 22.06.2011 dhe që ka marrë vendim të formës së prerë më 23.10.2012.
Ndërkohë Ylli Vangjelaj është arrestuar edhe në Shqipëri në korrik 2018, i kërkuar nga autoritetet italiane për vrasjen e punonjëses së seksit ekuadoriane Betty Ramirez 20 vjec, në 9 dhjetor 1999.
Sic u tha atëherë, vendimi italian për dënimin e tij me burg u njoh edhe nga Gjykata e Vlorës e cila, sipas mediave shqiptare, fillimisht e kishte dënuar me 23 vjet burg e më pas me vetëm 12 vjet burg.
Nuk dihet se si Vangjelaj ka përfunduar sërish i lirë, por sipas policisë greke urdhri për arrestimin e tij është lëshuar nga autoritetet italiane sërish në vitin 2021. Gjatë arrestimit në Shqipëri u tha se ai mbante dy identitete, Ylli e Fatmir Vangjelaj, ndërsa policia greke deklaroi se e ka arrestuar nën identitetin Ylli Vangjelaj dhe se ishte mbajtës i një pasaporte shqiptare me këtë emër të lëshuar në 19.10.2023.
Betty Yadira Ponce Ramirez u përdhunua, torturua, vra dhe u varros në 9 dhjetor 1999. Ajo u rrëmbye nga të tre persona në mbrëmjen e 9 dhjetorit 1999 përpara pikës së karburantit Esso në Caorsana dhe më pas u vra në brigjet e Po në Mortizza. Tre shqiptarë, Ylli alias Fatmir Vangjelaj, Robert Ziu dhe Erjon Sejdiraj tentuan ta mbysin por pa sukses dhe më pas i’a futën kokën nën ujë derisa u mbyt. Më i pamëshirshmi nga të tre, Erjon Sejdiraj i njohur si “Cico”, teksa e reja bërtiste e dëshpëruar, kishte telefonuar kunatën duke e informuar për atë që po bënte. Trupi i të resë u gjet më 20 shkurt 2000. Krimi, i ndodhur në kuadër të prostitucionit, synonte të ishte një provë e forcës së tre shqiptarëve në dëm të bandës që dominonte në atë kohë në Piacenza. Duke rrëmbyer Betty Ramirez dhe duke kërkuar një shpërblim nga “pronarët” e vajzës së re, ata mund të provonin vlerën e tyre. Vrasja brutale shqetësoi shumë opinionin publik për shkak të pamëshirshmërisë së vrasësve dhe mbi të gjitha për shkak të thellësisë kriminale dhe kontekstit të luftës për epërsi mes bandave të shfrytëzuesve të prostitucionit.
Robert Ziu u kap në SHBA në vitin 2006 (edhe ky i dënuar me 23 vite burg) dhe Erjon Sejdiraj, ai që ishte kapoja i vërtetë i bandës, u arrestua në Belgjikë, shtet ku akuzohej për mashtrim dhe falsifikim dokumentash, si i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen në Itali.
Ylli alias Fatmir Vangjelaj pas vrasjes u arratis menjëherë në Shqipëri ku kishte ndërruar identitet. Kishte marrë emrin e pagëzimit të vëllait më të madh dhe ditëlindjen e motrës së vogël. Duke u bërë një person tjetër ai u rikthye në Itali ku qëndroi në Chieti ku u martua dhe u bë me një vajzë, por asaj nuk i dha asnjëherë mbiemrin e tij. Hetimet e autoriteteve italiane nuk u ndalën as pas gati 20 vitesh duke këmbëngulur pranë homologëve shqiptarë për të gjetur identitetin e vërtetë të vrasësit të prostitutës. Policia shqiptare ndaloi vëllain e tij duke besuar se kishte arrestuar vrasësin, por kur u krahasuan shenjat e gishtave ai u lirua me kusht. Në këto momente Ylli ose Fatmir Vangjelaj e kuptoi se rrethi po shtrëngohej dhe vendos të rikthehet në Shqipëri pasi kishte mësuar edhe arrestimin e Robert Ziut. Sapo u kthye në Shqipëri ndryshoi sërish identitet. Nisi të punonte si murator duke bërë një jetë në hije. Por autoritetet italiane e kishin vënë ndërkohë nën përgjim.
Në një telefonatë me bashkëshorten e tij që qëndronte në Itali ajo e pyet:“Çfarë ke bërë në Piacenza?”. Ai nuk i tregoi asnjëherë atë që kishte ndodhur në 9 dhjetor 1999, por hetuesit italianë e mbanin nën vëzhgim bashkëshorten dhe vajzën e tij që ktheheshin shpesh në Shqipëri. Në 12 korrik 2018 u organizua një operacion i përbashkët dhe Vangjelaj u arrestua në shtëpinë e tij pa bërë asnjë rezistencë. Nuk dihet se si ai ka përfunduar sërish i lirë.