TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Raporti i këtij viti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri vëren se investitorët ankohen njëkohësisht se janë bërë shënjestër shantazhi nga administrata publike, media dhe krimi i organizuar, ndërsa paratë e pista shkatërrojnë shansin për konkurrencë të ndershme.
Qeveria, krimi dhe media kanë kthyer investitorët në shënjestër për t'u shantazhuar dhe zhvatur duke e bërë të vështirë të bërit biznes në Shqipëri, vëren raporti vjetor i Departamentit të Shtetit mbi klimën e investimeve të huaja, një raport që përmbledh shqetësimet kryesore të investitorëve në vende të ndryshme të botës si dhe analizon kushtet ligjore dhe faktike të operimit të këtyre bizneseve. Raporti [link] grupon në të njëjtën fjali shqetësimin e bizneseve nga të tre faktorët, zyrtarët e administratës publike, strukturat e krimit të organizuar dhe medias.
“Komuniteti i biznesit raporton se një fluks i lartë i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni deformon konkurrencën në treg,” shkruhet në raport. “Aludimet për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se janë bërë shënjestër për zhvatje njëkohësisht nga administrata publike, media dhe grupet kriminale,” shkruhet më tej në raport.
Departamenti i Shtetit vëren se raportimet për korrupsion në procesin e prokurimeve publike janë të zakonshme. “Investitorët shpesh raportojnë raste të korrupsionit të qeverisë që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri,” shkruhet në raport. “Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë konkurrencën nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë,” vërehet më tutje në raport.
Investitorët amerikanë thonë se ata janë të sfiduar nga korrupsioni dhe nga praktikat e biznesit informal.
Raporti vëren gjithashtu se Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar fillimisht në vitin 2015 dhe që afati i të cilit është shtyrë disa herë, kishte për synim të promovonte investimet e brendshme dhe të huaja në sektorë strategjikë por ai “nuk tërhoqi investime domethënëse të huaja.”
Sipas raportit, shumica dërrmuese e 50 projekteve të miratuara përqendrohen në turizëm dhe dominohen nga investitorët vendës./BIRN